Pas takimit "kokë më kokë" me Erdoganin, Zelensky mbërrin në Tiranë
Në kuadër të përgatitjeve për samitin e Komunitetit Politik Europian, në Tiranë mbrëmjen e sotme ka mbërritur edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Aeroplani i Zelenskyt mbërriti në kryeqytetin e Shqipërisë rreth orës 10:00 të mbrëmjes, pas fluturimit nga Turqia, aty ku presidenti ukrainas zhvilloi një takim “kokë më kokë” me homologun Recep Tayyip Erdogan.
Nga Ankaraja para nisjes për në Tiranë, Zelensky falenderoi presidentin e Turqisë për bisedimet e tyre sot dhe tha se Erdogan e njohu Krimenë si territor ukrainas, duke e përshkruar këtë si një “sinjal shumë të rëndësishëm dhe një shenjë të mbështetjes politike”.
Në aeroportin e Rinasit, Zelensky u prit nga ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, raportojnë mediat shqiptare.
Takimi i Komunitetit Politik Europian do të ketë vëmendjen e gjithë Europës dhe do të zhvillohet për herë të gjashtë në Tiranë, me prezencën e të gjithë liderëve të BE-së dhe jo vetëm.
Komuniteti Politik Europian është një platformë diskutimesh politike e strategjike mbi të ardhmen e Europës, e cila lindi në vitin 2022. Ideuesi i saj është presidenti francez Emmanuel Macron, në një përpjekje për ta mbajtur të bashkuar kontinentin, përballë kërcënimeve që vinin nga Rusia, vendi i cili së bashku me Bjellorusinë u lanë qëllimisht jashtë këtij forumi.
Komuniteti politik mblidhet dy herë në vit, duke u alternuar mes një vendi të BE dhe një vendi jashtë saj.
Takimi i parë u mbajt në Pragë në 6 tetor të vitit 2022, ndërsa i fundit në radhë ishte nëntorin e kaluar në Hungari.
Objektivi i Komunitetit politik është që të ofrojë një platform të koordinimit të të politikave për të gjithë vendet evropiane, duke promovuar dialogun politik dhe bashkëpunimin në çështje me interes të përbashkët për kontinentin. /Telegrafi/






























