Site icon Telegrafi

Pas skandalit me falsifikim të dokumentacionit të mishit, pezullohet nga puna inspektori i AUV-it

f

Pas dyshimeve të manipulimit me dokumente zyrtare nga ana e një operatori ekonomik në sektorin e mishit dhe një inspektori të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) Komisioni Disiplinor në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë ka pezulluar nga puna inspektorin, Qenan Maxhuni.

Sipas një vendimi që ka siguruar Telegrafi bëhet e ditur se Qenan Maxhuni pezullohet nga marrëdhënia e punës sipas detyrës zyrtare në shërbimin civil.

Në vendim thuhet se të pezulluarit do t’i kompensohet me 50 për qind të pagës mujore sipas dispozitave ligjore në fuqi.

Lexo po ashtu Dyshimet se shitën mishin e Brazilit në Shqipëri për të Kosovës, vjen reagimi i kompanisë “Apetit”

“Të pezulluarit si në pikën 1 të këtij vendimi i pezullohet marrëdhënia e punës në AUV, deri në marrjen e vendimit tjetër. I pezulluari do të kompensohet me 50 % të pagës mujore sipas dispozitave ligjore në fuqi, pezullimi mbetet në fuqi deri në marrjen e një vendimi tjetër”, thuhet në vendim.

Lexo po ashtu Mishin e Brazilit e shiti në Shqipëri për të Kosovës, AUVK ia ndalon eksportin kompanisë “Apetiti" Sh.P.K

Ndërkaq nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, gjithashtu kanë konfirmuar për Telegrafin se është autorizuar policia në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme.

“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë, sipas detyrës zyrtare, ka autorizuar policinë në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme me qëllim të grumbullimit të provave dhe informatave lidhur me këtë çështje”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Ndryshe, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUVK) ka marrë masa kundër kompanisë “Apetiti ‘Sh.P.K’, duke ia ndaluar eksportin e produkteve të mishit.

Zëdhënësi i AUVK, Lamir Thaçi kishte thënë se vendimi ka ardhur pasi u konfirmua se kompania në fjalë ka blerë mish nga Brazili dhe e ka shitur në Shqipëri si produkt me origjinë nga Kosova, së bashku me falsifikimin e dokumenteve në bashkëpunim të dyshimtë me inspektorë të shtetit.

“Është formuar komisioni profesional i cili do të bëjë auditimin e të gjitha hyrje daljeve të biznesit për të vërtetuar dyshimin e ngritur. Do e mbështesim njëra tjetrën me të dhënat rreth të gjeturave që burojnë nga kontrollet e detajuara,” shton Thaçi.

Lexo po ashtu Peci: Në rastin e mishit të Brazilit, dyshohet se është i përfshirë edhe një inspektor i AUV-it

Ai theksoi se secili i përfshirë në veprime të kundërligjshme do të përballet me masat ndëshkimore të përcaktuara me ligj.

Edhe ministri i Bujqësisë, Faton Peci, kishte folur pas raportimeve mbi dyshimet e manipulimit me dokumente zyrtare nga ana e një operatori ekonomik në sektorin e mishit dhe një inspektori të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).

Sipas ministrit, veprimet e menjëhershme kanë qenë dërgimi i inspektorit në një komision disiplinor dhe vendosja e një ndalesë për eksport-import për operatorin ekonomik të përfshirë në këtë çështje.

Exit mobile version