LAJMI I FUNDIT:

Partia e Pesimisteve të Kosovës!

Partia e Pesimisteve të Kosovës!

“Meditime” për një parti të munguar politike ose tregimi që nuk e lexon askush!

Kjo Kosova e vogël, një grusht shtet, ka e çka nuk ka, ama dorën në zemër, më së shumti ka parti. Parti të vogla e të mëdha, të djathta e të majta, parti kombëtare e fetare, me kryq e pa kryq, me liderë e pa liderë, me program e pa program, me profil e pa profil, e ku ta di unë i shkreti, që edhe në këto çaste nuk më rrihet pa u marrë me to.


Të them të drejtën, unë nuk po merrem, por ato po merren me mua. E hap televizorin, dalin partitë dhe nuk më lënë të qetë. E hap radion, dëgjohen zërat e liderëve partiakë. E hap internetin, kërcasin mesazhet nga më të ndryshmet, fotot e secilit që do të bëhet figurë kombëtare a politike, me mendimet e veta e të vjedhura.

Kjo Kosova e vogël, një grusht Kosovë, një grusht shtet, ka e çka nuk ka. Ka parti shqiptare, ka parti serbe, ka parti të ashkalinjve, parti të egjiptianëve, parti të goranëve, parti të boshnjakëve… Janë nja njëzetë e katër parti të regjistruara që garojnë për pushtet, qoftë për pushtet lokal, apo për pushtet qendror.

Kjo Kosova e vogël, një grusht Kosovë, nuk ka vetëm parti kombëtare, apo të të gjitha kombeve e kombësive siç ka thënë shoku Tito, ose parti multietnike si thonë ndërkombëtarët, që nuk i largojnë duart nga veshtë e liderëve partiakë dhe shtetërorë dhe kur duan ua ngrehin si lepujve. Ka Kosova e vogël parti regjionale, parti lokale e deri te partitë e fiseve dhe familjeve. Këtu ka çka nuk ka kund në botë. Ama, ua them unë, Kosovës së vogël, një grushti Kosovë, i mungon një parti me anëtarësinë më të madhe, me shtrirjen më të gjerë, jashtë e brenda ku ka shqiptarë kombëtarë me përkatësi etnike, e shqiptarë kosovarë me përkatësi shtetërore.

Është një parti që ka pjesëtarë në të gjitha partitë, si ajo kolona e pestë, por parti që nuk legjitimohet. Ajo funksionon më së miri, por nuk ka burrë që bëhet lider i saj e të gjithë agjitojnë për të kur e kanë bishtin zënë.

Desha unë të bëhem lider i saj, por e di që kush nuk më vjen pas, se, askush nuk do të identifikohet më të. Kjo parti e munguar, por që funksionon më së shumti, shkurt do të quhej PPK. Le ta marrë dreqi! Të gjitha partitë e kanë nga një P ja nga një K, po kjo partia tjetër, më e reja, nuk shpëton pa dy P. Për ta deshifruar shkurtesën, po e themi troç, siç thonë vëllezërit tanë përtej Kukësit: Partia e Pesimistëve të Kosovës!

Kjo Partia e Pesimistëve të Kosovës është parti e paorganiziuar, e pakonstituuar, por funksionale. Ndikimi i saj është shumë i madh, si në popull, ashtu edhe në partitë e tjera, po edhe në shtet. Merre me mend: me mëngjes kur zgjohet njeriu, në Kosovën tonë të vogël, e nis ditën me germën e parë të kësaj partie, me germën e madhe: P – pesimizëm! Si me u çu? Ku me shku? Kah me ia nisë? Këtu nuk ka kurrgjë! A rrihet këtu? A durohet kjo gjendje? Ku me i gjet ca para? Si me dalë në kafene? Etj., etj., etj., siç thuhet për vargun e fjalëve që sillen në një kuptim.

Por, kjo PPK rrënjët i ka shumë thellë, madje thellë e më thellë në histori, para formimit të kombit dhe para ardhjes së pushtuesve dhe vazhdon me të njëjtin ritëm edhe pas largimit të pushtuesve. Pesimizëm kishte para e pas Krishtit! Pesimizëm me ardhjen e Islamit! Pesimizëm në komunizëm! Pesimizëm në luftë dhe pesimizëm në liri! Pesimizëm në Kosovën e çliruar po të varur, e edhe tash në Kosovën e pavarur. Sa shumë pesimistë e të paorganizuar në partinë e vet? Kjo është për të të ardhur keq, mos të themi për të qarë!

Anëtarësia e Partisë së Pesimistëve të Kosovës i shërben djallit! I shërben qëllimeve të partive legjitime që përditë i shanë dhe prapë i sjell në pushtet. I sjell në pushtet e ato prapë ia kthejnë me pesimizëm. Kështu e ka kjo punë.

Mos të harroj! Kur bëhen anketa nëpër botë për optimizëm, për çudi, ne kosovarët, që edhe pse nuk duam të quhemi kështu siç na quajnë vëllezërit tanë përtej Kukësit dhe ndërkombëtarët përtej Mitrovicës, ne renditemi ndër popujt që zënë vendet e para. Popull optimist! Ah, sa më vjen inat të deklarohem para armiqve tanë të jashtëm e të brendshëm, siç thoshte xhaxhi Enver?! Jo popull optimist, por popull dyfytyrësh! Tjetër flet e tjetër vepron! Jeton në pesimizëm të thellë e deklarohet optimist triumal. Ose kështu e ka politika pa politikë. Unë e di, por këtë e dinë edhe të tjerët, se po të formohej PPK-ja do ta merrte pjesën më të madhe të anëtarësisë së partive politike.

Hyp e zhdryp! Hypin liderët në pushtet, i merr me vete entuziazmi, optimizmi, fuqia për t’i bërë malet fusha e fushat male! Zhdrypin! I rrokë sekëlldia, inati, lufta për t’i zhdrypë hypësit. Me ´i fjalë, siç thonë shkodranët, bëhen pesimistë, por prapë nuk marrin kurajo për t’u anëtarësuar në PPK, shkurt, ose ne Partinë e Pesimistëve të Kosovës, gjatë!

Ka qindra vjet, siç thonë hoxhallarët e myezinët, qëkëtë tokë e ka nemun turku dhe nuk sheh ditë të bardhë, ose, siç kanë thënë knjazët, krajlitë dhe dreq e bir i tyre se ky vend nuk është për shqiptarët! Por, për çudi, prapë ka më shumë shqiptarë se të tjerë dhe jetojnë optimistë në pesimizëm. Me pesimizëm jetojnë në robëri, me pesimizëm e nisin luftën, me pesimizëm luftojnë, me pesimizëm e fitojnë lirinë, me pesimizëm e formojnë shtetin dhe prapë primesë kombëtare e lënë pesimizmin! Çudi a? Nëse ka popull qiellor në këtë botë, siç thonë, shqiptarët janë i vetmi popull tokësor, sepse pesimizmi shkon për toke e optimizmi për qielli! Dhe, të gjithë kanë fituar me optimizëm, vetëm shqiptarët me pesimizëm!

Dilni burra ta formojmë PPK-në, Partinë e Pesimistëve të Kosovës! Dilni sa nuk na e ka marrë kush këtë licencë gjeniale! Dilni se po na zë mbrëmja pa e kryer këtë akt madhor kombëtar!