Përrallë e Kazakistanit
Përktheu: Agim Xh. Dëshnica
Një baba na kishte një djalë. Djali, për fat të keq, ishte përtac. Edhe pse e shikonte të atin që rropatej në punë nga mëngjesi në mbrëmje, vetë, qysh se dilte dielli e gjer sa perëndonte, bridhte poshtë e lart kot më kot. Nuk i shkonte ndër mend kurrë të punonte e të fitonte ndonjë parà. Vetëm të hante, të pinte e të vishej mirë dinte. Dhe, paratë e babait i shpenzonte pa e vrarë mendjen. Por, erdhi një kohë dhe u mërzit babai nga sjellja e të birit, ndaj, që ta mësonte me punë, e që t’ia dinte vlerën punës, e thirri dhe i tha:
– Dëgjo, bir! Qysh nesër do të vesh të punosh!
Dhe, e dërgoi te një mik në një fshat fqinj, që të punonte për një flori në vit.
Djali përtac shkoi, po puna nuk i pëlqeu dhe nuk zinte asgjë me dorë. Miku i babait mendoi se e kishin dërguar tek ai sa për t’u gjendur në punë dhe as që i vinte vesh. Veç i jepte të hante e të pinte ç’donte dhe e vishte si jo më mirë. Kur u mbush viti, i dha atij floririn dhe e përcolli.
U kthye djali në shtëpinë e vet.
– Hë, or bir, mirë se erdhe! Thuamë si je dhe a punove dot?
– Qysh jo, baba! Punova, sa …
– Po rrogën a e more?
– E mora, posi!
– Ma jep, ta shoh!
Djali ia dorëzoi floririn babait. Ky, pa e parë fare, hapi dritaren dhe e flaku jashtë nëpër barishte. Djalit as që iu prish terezia. Ai i ktheu shpinën të atit dhe deshi të shkonte të piqej me shokët. Veç, i ati kuptoi në çast se ai s’kishte punuar, ndaj e ndali dhe i tha:
– Do të shkosh të punosh edhe një vit tjetër, or bir!
Dhe e dërgoi në një fshat më të largët, te një mik i vjetër, pronar bagëtish.
Dhe, ky nuk e lodhi djalin me punëra ndër stalla a në stane, se kujtoi që miku ia kishte dërguar jo për punë, por për të provuar miqësinë me të. Kështu që, kur mbaroi viti, i dha floririn dhe e përcolli.
Erdhi djali në shtëpi.
– Hë, or bir, si kalove, a punove ?
– Punova, po qysh jo, baba!
– Po a ta dhanë rrogën?
– Posi!
– Nema, ta shoh!
Babai e mori, hapi dritaren dhe e flaku floririn jashtë, nëpër barishte. Djali as që deshi t’ia dinte.
U ngrys i gjori baba dhe nisi të mendohej se si t’ia bënte me atë të uruar djalë. Si kaloi pak kohë, e dërgoi në një fshat të largët fare, te një pronar i panjohur. Por, më parë e gjeti, e takoi dhe i tha atij pronarit:
– Dua vetëm që djalin të ma shtiesh në punë të vërtetë dhe nuk është e nevojshme t’i japësh rrogë!
Ia kuptoi qëllimin pronari i zgjuar.
– Qysh ditën e parë e vuri djalin të priste ferra me kosë. Dhe, e ftoi të çlodhej e të hante, veç kur dielli perëndoi. Të nesërmen e ngriti nga gjumi, sapo zbardhi dita, dhe iu përvesh punëve tok me të, pa e lënë një çast të ulej. Kështu çdo ditë. E zgjonte argatin herët. Punonte pa u lodhur vetë, e shtynte në punë edhe atë. E rëndë i dukej puna përtacit, por s’kishte ç’të bënte! Ofshante e rënkonte dhe sytë i mbusheshin me lot. Kurse pronari shtirej sikur nuk e vinte re. Vetëm një fjalë përsëriste ai:
– Puno si punoj unë! S’ka këtu ta hash bukën pa djersitur!
Dhe djali përtac s’u bënte dot bisht punëve. I dhimbte mesi, i dhimbnin gjunjët. Por, me kalimin e kohës, aq shumë u mësua, saqë pronari kuptoi se nuk qe e nevojshme ta nxiste më djalin. Ai ishte gjallëruar. Ndaj as e shtynte e as e qortonte, madjé hera-herës i jepte zemër me ndonjë fjalë të mirë.
Kur u mbush viti, duart e djalit ishin mbushur me kallo, kurse rrobat i qenë njollosur e grisur.
Pronari i shtroi një darkë të mirë, i dhuroi një palë rrobe të reja dhe i tha:
– Yt atë nuk kërkoi që të të paguaj për punën tek unë, por ti e ke me hakë të mos kthehesh duarbosh. Na, merri! I ke hallall këta florinj! Dhe tashti shko në shtëpinë tënde dhe bëj edhe atje punë të mira si këtu!
U kthye djali tek i ati. Ky e priti i qeshur.
– Hë, o biri im i dashur! Erdhe? A punove?
– Punova, baba!
– Punove mirë?
– Mirë, baba.
– A të pagoi pronari?
– Po! Më dha ca florinj! – iu përgjigj ai dhe ia la në dorë.
I ati i numëroi, u çel në fytyrë dhe, kur bëri të hapte dritaren që t’i flakte jashtë, djali kërceu dhe i mbajti dorën.
– Mos, baba, – i tha, – mos i flak jashtë ato parà, se vetë e di si i kam fituar!
U lumturua i ati dhe i tha:
– Tani po, je vërtet im bir! Ke kuptuar se asgjë e arritur me djersën e ballit nuk mund të flaket e të shpërdorohet!
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëRefuzimi amerikan ndaj kërkesës së Leka Zogut për ta përmbysur Enver Hoxhën me ndihmën e sauditëve
Gruaja serbe që ndikoi në zgjerimin e Perandorisë Otomane
Një replikë për “historianët” e akshamit
Letër bijës sime
Fjalë të urta popullore: Gjuha kocka s'ka e kocka thyen
Çfarë është gjenocidi?
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
Më të lexuarat
Befasia e këtij fillim viti: Nga Spanja raportojnë se Messi po rikthehet te Barcelona
Surpriza tejet e veçantë për Vullnetin: Niset për në Negroc për t'i takuar familjarët e tij
Musk po shkakton telashe në Evropë - çfarë përfiton ai nga kjo?
Olta Gixhari shkëlqen në finalen e Big Brother VIP Kosova me një pamje mahnitëse
100 milionë euro? As kjo nuk e bindi yllin e Real Madridit të braktiste Bernabeun për Chelsean e Abramovichit
Xuxi surprizohet nga familja e tij në finalen e Big Brother VIP Kosova