Paralajmërimi për rritje 21%, Bajrami: Albini dikur thoshte, është tepër shtrenjt kur rrimë mbi gjithë këtë energji

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj paralajmërimeve për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke e cilësuar këtë proces si përfitim për, siç tha ajo, “mafinë energjetike”, në kurriz të qytetarëve.
Në një reagim publik, Bajrami ka deklaruar se rritja e fitimeve të tregtarëve të energjisë po bëhet duke u zbrazur xhepat e qytetarëve, ndërsa kërkesa e fundit e KESCO-s për rritje të çmimit të energjisë, sipas saj, nuk është as e vetmja dhe as përfundimtare.
Ajo ka theksuar se kërkesa për rritje çmimi, sipas informatave të saj, kanë bërë edhe operatorë të tjerë të sektorit energjetik, përfshirë KEDS-in, KOSTT-in dhe KEK-un.
Deputetja e LDK-së ka rikujtuar edhe premtimin e kryeministrit Albin Kurti para ardhjes në pushtet, kur, sipas saj, ai kishte deklaruar se energjia do të lirohej, pasi Kosova, siç ishte thënë atëherë, qëndron mbi burime të mëdha energjetike.
Bajrami ka paralajmëruar se çdo rritje e çmimit të energjisë elektrike ka efekt zinxhir në ekonomi, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve të të gjitha produkteve bazë.
Sipas saj, rritja e çmimit të energjisë ka gjithmonë efekt multiplikues dhe gjithmonë negativ për qytetarët dhe ekonominë në përgjithësi.
Në reagimin e saj, Bajrami ka kritikuar edhe politikat sociale të Qeverisë, duke deklaruar se ndihmat financiare si 100 euro në kohë zgjedhjesh, shtesat për lehona, fëmijë, të moshuar dhe studentë, nuk janë rezultat i zhvillimit ekonomik, por pasojë e varfërimit të qytetarëve.
Në fund, deputetja e LDK-së ka bërë thirrje që qytetarët të reagojnë kundër çdo vendimi që ajo e cilëson si të padrejtë nga institucionet publike dhe Qeveria./Telegrafi.




















































