Nga: Dorina Arapi
Nëse një historian arti apo studiues i kësaj fushe merr në shqyrtim një artist apo një tablo të caktuar, krahas analizës vizuale, estetike të tablosë merr përsipër të shqyrtojë dhe kontekstin shoqëror e historik të periudhës në të cilën artisti në fjalë ka qenë aktiv në jetën artistike. Kështu krahas një analize stilistike, vizuale qëndron dhe analiza kritike, e cila e kompleton studimin e një tabloje. Në fjalë të tjera, pa një analizë të kontekstit shoqëror e historik (pjesë e analizës kritike), nuk mund të kuptohet mesazhi që artisti përcjell. Duke qenë se arti ka qenë dhe një nga format që ka shërbyer për propagandën fetare, atëherë është e qartë se propaganda nëpërmjet ikonografisë, është domosdoshmërisht e lidhur me situatat kishtare dhe besimi e ndjekësve të saj.
Ky artikull merr shkas nga një artikull i mëparshëm i studiueses së artit Suzana Varvarica rreth ekspozitës së fundit të Kolë Idromenos në Galerinë e Arteve, Tiranë. Me këtë artikull kërkoj të avancoj në shtjellim disa aspekte të veprave të artistit dhe konkretisht kompozimet e tij me subjekt besimin fetar te komuniteti katolik në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Ky subjekt dallohet konkretisht tek tablotë ‘Kur dreqi hyn në shtëpi’, apo ‘Dy rrugët’ (por që unë nuk do ta shtjelloj në këtë artikull). Si dhe një vizatim i trajtuar me penë prej artistit dhe e ekspozuar pranë tabllosë ‘Kur dreqi hyn në shtëpi’. Subjekti i saj është ende i patrajtuar dhe vizatimi nuk mban as datë të realizimit, e as titull. Përveç portreteve, kompozimeve dhe trajtimit të detajuar e skrupuloz të veshjeve tradicionale në tablotë e Kolës, bie në sy një subjekt madhor që dominon në këtë ekspozitë: Universi dualist i dritës dhe errësirës, devijimi moral e degradimi shpirtëror dhe jeta e përkorë.
Kompozimi ‘Kur dreqi hyn në shtëpi’ ka një subjekt që lidhet me problemet dhe jetën e besimtarëve katolikë në zonat e Malësisë së Madhe dhe në krahinën e Zadrimës në Shqipëri gjatë shekullit XIX. Kompozimi, për sa i përket trajtimit estetik, qëndron në tone të zymta, në ndryshim nga vepra të tjera të tij. Në të gjithë tablonë bie në sy trajtimi i portreteve të njerëzve të tronditur. Dy gra, që qëndrojnë në dy anët e kompozimit mbajnë veshur veshjet tradicionale të Malësisë së Madhe, asaj të Hotit e Grudës. Kjo dallohet nga kraholët e tyre me xhufka të kuqe dhe shamia e bardhë në kokë. Me shumë gjasa, Idromeno do të jetë ‘ngacmuar’ nga kartolinat me ngjyrë të studio ‘Marubit’ në fundshekullin XIX.
Sipas një diskutimi i studiueses S.V me At Zef Pëllumbin para shumë vitesh, tabloja e Kolës “Kur hyn dreqi në shtëpi”( 1889?) është një nga veprat, të cilat ishin të porositura nga kisha në Shkodër. At Zef Pllumi ishte shprehur se kjo “tabllo ishte porositur nga Ipeshkëvi i Kishës së Madhe dhe ka shëtit në shumë familje dhe në Malci ma tepër. Iu tregohej gjinies së familjeve, që me akte të mbrapshta bashkëshortore kishin cënu rregullat e Zotit e të familjes” (shih artikullin: “Kolë Idromeno në pasqyrën restauruese, mjeshtrat që nxorën në dritë veprat”, Gazeta Panorama, 22 korrik, 2019).
Dhe, në fakt, fjalë e tij qëndrojnë në interpretimin e tablove të Idromenos. Tabloja ‘Kur dreqi hyn në shtëpi’ dëshmon gjendjen kritike të zonave veriore të Shqipërisë së asaj kohe. Duke ju referuar burimeve arkivore kuptojmë se jeta e kristianëve në zonat e thella të Shqipërisë, si në Malësi të Madhe, ashtu dhe në krahinën e Zadrimës paraqiste fenomene kulturore të cilat ishin në kundërshti me etikën fetare. Në kompozim paraqiten disa figura, të cilat rrethojnë mëkatarin. Djajtë, vdekja, krijesa të botës së errët, famullitari dhe engjëlli përkrah, dhe dy gratë, ku njëra mban pranë saj një fëmijë. Djajtë i tregojnë mëkatarit qesen me piastra, armën dhe fishekët. Vdekja me trajtën e skeleti tregon me orën e kosën në dorë, por ora e vdekjes ende nuk ka ardhur, pasi në hieraki e kompozimit, vdekja është e fundit. Përballë mëkatarit qëndron dragoi me flakët në gojë që paralajmëron fatin e tij në Purgator. Vargonjë me të cilët është lidhur mëkatari tregojnë se njeriu është skllav i së keqes.
Kola paraqet nëpërmjet ikonografisë luftën frymore, psikologjike që bën besimtari midis së mirës dhe së keqes. Djalli e tundon me qesen me para dhe me format e mundshme. Kola i ilustron djajtë me trajta humane e kafshërore, ashtu siç janë formësuar në imagjinatën artistike e si rrjedhim në atë popullore. Përkrah famullitarit qëndron engjëlli. Figura e engjëllit tregon se për mëkatarin ka ende shpresë për të dalë nga rruga e devijuar, pasi i ka vendosur dorën në kokë. Engjëjt në traditën kristiane shoqërojnë njeriun, e ndihmojnë atë në sulmet nga e keqja dhe shoqërojnë njeriun gjatë sakramenteve. Dera e kishës do të ishte gjithmonë e hapur për ata që pendoheshin, duke ndryshuar rrugën e tyre, duke u kthyer në bashkim të plotë me Hyjin dhe me kishën. Njeriu duhet të kërkojë ndihmë hyjnore që të çlirohet nga mëkatet.
Një nga problematikat më të mëdha, duke përfshirë një periudhë të gjatë pothuajse gjysmë shekullore (rreth gjysmës së dytë të shekullit XIX), për të cilën dhe tabloja në fjalë dëshmon ishte bashkëjetesa e çifteve, të cilët në kundërshti të rregullave, banorët vepronin paligjërisht. Kjo formë quhej apo haset si konkubinati (concubinato). Por problemi nuk qëndronte vetëm këtu. Krahas bashkëjetesës të pakonfirmuar nga autoriteti, vendasit vepronin dhe në bigami, çka përbënte një fenomen akoma më të rëndë. Apo dhe në shumë raste të tjera kur bashkëjetesat ishin të besimeve të ndryshme si katolikë me myslimanë dhe me të krishterë ortodoksë. Në të gjitha format, konkubinati ishte një akt i paligjshëm, i patolerueshëm (shpesh i cituar dhe me terma të ashpër) dhe një nga shkaqet më të mëdha në shpalljen e shkishërimit të personave të përfshirë.
Kështu një famullitar në një letër drejtuar arqipeshkevit të Tivarit, Karlo Pooten shkruan dhe paraqet problemin se rregullat e kishës nuk zbatohen, pasi vendasit nuk merrnin në konsideratë tre shpalljet që nevojiten për martesë. Famullitari, i shqetësuar nga gjendja e krijuar, shkruan për raste kur nusja dërgohet në vende të largëta për tek dhëndri, pa u pajisur me dëshminë që ajo ishte e lirë, e ku të pamartuarit, të gjendur në vende të largëta, nuk janë të pajisur me dëshminë e gjendjes së lirë. Madje në tone të ashpra, famullitari e cilëson ‘një konkubinat i urryeshëm e i denjë për mallkim nga Zoti’. Por shqetësimi i tij nuk mbetej me kaq. Ai shprehet se çiftet që duan të martohen pretendojnë që famullitari t’i martojë, pa qenë asnjëherë i informuar në mënyrë për gjendjen e statusin e tyre. Ai cilëson se i përbuzin ligjet e shenjta të Kishës dhe i shkelin ato. Si rrjedhim, ai propozon që për të vendosur rregull, duhet që çiftet të lajmërojnë në kohë famullitarin në mënyrë që të deklarojë shpalljet. Nëse çiftet do gjenden në një vend tjetër, jashtë famullisë së tyre në një dioqezë tjetër duhen të marrin leje nga ordinari, atyre do ti duhet të lajmërojnë më herët autoritetet. Këtu përfshihen dhe familjarët e të palëve të çiftit, të cilët duhet ta lajmërojnë famullinë në kohë. Çdokush që nuk bindej do të përjashtohej nga kisha i privuar nga sakramentat. Ai e paraqet këto detyrime si një kusht për një jetë të përkorë e të devotshme. Ai fton publikisht që dekreti në fjalë të lexohet publikisht, një herë në muaj deri në një vit dhe më pas pesë herë në vit. Më pas i urdhëron të bëjnë një kopje e të dekretohet në librat famullitar të martesave, të ekspozohet kopia para vizitorëve në vizitat pastorale. Autoritetet e kohës shpesh dërgonin urdhëresa nëpërmjet të cilave urdhëronin famullitarët që çdokush që jetonte në konkubinat e bigami, do të privohej nga hyrja në kishë për gjithë jetën, të privuar nga sakramentat dhe deri në privim të varrimit ekleziastik. Por kjo jo vetëm për personat e përfshirë, por dhe familjarëve të tyre.
Një rast i veçantë është një ndalesë e shpallur nga Arqipeshkvi i Durrësit (viti 1890), ku një fshati të tërë në zonën e Zadrimës i ndalohet hyrja përjetë në kishë, si dhe varrimi ekleziastik. Kjo për arsye të mosbindjes ndaj famullitarit dhe jetës jo të rregullt që banorët bënin, për shkak të rasteve të konkubinatit. Për këtë arsye famullitari urdhërohet që të pezullojë meshën dhe të publikojë ndalesat ndaj besimtarëve dhe të mos ti afrojë shërbimin shpirtëror banorëve të atij fshati, deri në momentin që nuk i bindeshin peshkopit të vetë. Në ato raste në të cilat personat e përfshirë në konkubinat nuk i bindeshin paralajmërimeve të kryera, autoriteti kishtar merrte masa të rrepta kundrejt tyre.
Në skicën, e ekspozuar pranë kësaj tabloje në këtë ekspozitë dallohen 4 burra, një grua dhe djajtë që i kanë rrethuar. Njëri i përfshir nga flakët, dy të tjerë të torturuar nga ushtat në trup, një tjetër që kërkon të veprojë dhe në qendër të skicës së vogël, qëndron gruaja e tërbuar dhe e përfshirë në torturën e njërit prej tyre. Gruaja në të njëjtën kohë kërkon të ndalojë me dorë burrin pas saj. Si ky i fundit, ashtu dhe gruaja janë të prekur nga ushtat e djajve. Ata janë nën pushtetin e tyre. Një nga djajtë qëndron pranë burrit në të majtë, duke i treguar qesen me piastra. Në këtë skenë nuk paraqitet asnjë engjëll. Kjo për të treguar se akti i ulët është kryer dhe nëpërmjet flakëve të Purgatorit, shpirti i tyre do të kalojë për gjykim. Në imagjinatën artistike të artistit, mëkatarët digjen në zjarrin e Purgatorit. Zjarri në këtë rast nuk është zjarri në konceptin gjeografik metaforik të Botës tjetër, Ferrit. Këtu, në Purgator, mëkatarët torturohen në zjarrin e tij. Ndryshe nga zjarri i ferrit, ai është i përkohshëm. Shpirti i mëkatarit “do të shpëtojë nëpërmjet zjarrit”. Mëkatarët mbajnë kokën lart, si shenjë gjunjëzimi ndaj Zotit.
Dhe ky kompozim është po aq interesant sa tabloja e mëparshme. Një nga aspektet që shqetëson më shumë në shekullin XIX, në zonat malore të Shqipërisë së veriut, është pozita e gruas, roli dhe rëndësia e saj në shoqërinë shqiptare gjatë kësaj periudhe. Jeta në një shoqëri patriarkale e kufizonte atë në pjesëmarrje, vendimmarrje dhe të zhvillonte jetën në vullnetin e saj të lirë.
Në një letër të peshkopit Alberto Gracchi të dioqezës së Pultit drejtuar Arqipeshkëvisë së Shkodrës dhe Tivarit (viti 1874) rrëfen se para disa kohësh kishte hapur një fond për të ndihmuar dy vëllezërit e vegjël jetim të shërbëtores që ai mbante në rezidencën e tij. Ai tregon se dy vëllezërit, të detyruar nga ligjet e rënda e të vendit, duhej t’i paguanin gjashtë qese me piastra personit, të cilit i ishte besuar motra e tyre qysh në djep. Duke qenë se vajza dhe familja e saj kishin përqafuar besimin Islam, ajo i ishte bashkuar personit në fjalë, për të mos humbur shpirtin e saj. Peshkopi, në qëllimin për ta mbrojtur vajzën në shtëpi, tregon se kishte qenë i detyruar ta bënte këtë. Qëllimet e pabesa të personave të cilët ankoheshin për moszbatimin e zakonit, kërkonin që vajza t’i jepej turkut (myslimanit), të cilit i ishte besuar (i cili ndërkohë kishte deklaruar që kush i sjell vajzën do të paguhej me dymbëdhjetë qese), ose sipas famullitarit, për t’u shitur për pak piastra.
“Pavarësisht” – shkruan peshkopi – “se ka malësorë të ndershëm duhet të dini që midis bashkëkombësve të tyre kristianë ekziston një skllavëri e vërtetë e gruas, e justifikuar më të zakonshmen që është zakon i përhershëm, dhe për këtë ata i shesin vajzat që në djep, si kristiane, ashtu dhe myslimane. Vajzat e shitura nuk kanë shpëtim nga këta bashkëkombës të pandershëm, përveçse të gjejnë shpëtim tek pastori i tyre”. Ai vëren se sipas zakonit të vjetër dhe situatën morale të banorëve, nuk gjen burra për punë të tilla (punë që ka nevojë shtëpia të mbahet), përveçse gratë janë ato që i bëjnë këto punë. Burrat nuk dinë të bëjnë bukën, as dhe një punë, duke shprehur ‘se ata më mirë të vriteshin sesa të ‘poshtëronin’ veten e tyre më kësi lloj punësh”.
Kjo është një nga rastet e shumta që tregojnë për pozitën e gruas në zona të thella veriore të Shqipërisë së Epërme në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Malësia e Madhe e mbështetur te Kanuni krijoi modele të shoqërore siç ishin martesat që në djep, prikat, duke përcaktuar në këtë mënyrë rolet gjinore në shoqëri, duke e privuar gruan nga shumë të drejta, të nënshtruar nga familja, fisi e shoqëria. Dhe me të drejtë, në vitin 1864, Peshkopi Çurçia, duke i dërguar një urdhëresë klerit katolik shkruan, se: “Zgjedhja e shoqes së jetës duhet bërë me shumë kujdes e seriozitet, sepse ai është akti më solemn e i rëndësishëm i jetës, pasi kjo mund të sjellë qetësi ose furtunë në jetën e dikujt. Ndryshe nga kjo, në këto vende (në zonat veriore) ka një indiferencë e neglizhencë. Është e trishtueshme, të shikosh përdorimin e zakonin e të konsideruarit të gruas, jo si një qenie e arsyetueshme, por si diçka për t’u përdorur”.
Një tabllo tjetër, po aq e rëndësishme për tematikë e kompozim është dhe tabloja e Kolë “Dy rrugët” që është një pasqyrim i së mirës dhe së keqes, lufta e njeriut midis këtij universi. Një tablo që meriton një analizë të gjerë, por kjo do të mbetet për një tjetër herë.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
"Mund të shkojë deri në 1 milion dollarë?": Ekspertët tregojnë se çfarë mund të ndodhë, nëse SHBA nën Trump krijon një 'rezervë kombëtare me bitcoin'
Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare tregon se si e sheh ai “fundin e luftës në Ukrainë”
Ruben Amorim kritikon haptas yllin e Man United pas barazimit ndaj Ipswich Town
Ngjarja me Drilonin dhe Edin - Sarës i përkeqësohet gjendja në Big Brother VIP Kosova?
Pochettino e injoroi dhe bëri sikur nuk e njeh, ish-ylli i Chelseat ka një përgjigje për argjentinasin
Real Madridi në mesin e klubeve të interesuara për transferimin e mbrojtësit nga Serie A