Paraburgim ndaj dy personave në Prishtinë për shpëlarje të parave, fajde e vepra tjera penale

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale dhe ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për të dyshuarit B.M., dhe Q.M., secilin veç e veç, nën dyshimet për fajde, shpëlarje të parave dhe vepra të tjera penale.
Sipas njoftimit të Gjykatës, B.M. dyshohet se ka kryer veprat penale “Fajde”, “Shpëlarja e parave”, “Falsifikim i dokumenteve”, “Mashtrim” dhe “Kanosje”, ndërsa Q.M. dyshohet për veprën penale të “Shpëlarjes së parave”.
Pas seancës dëgjimore, gjyqtari i procedurës paraprake konstatoi se ekzistojnë kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, duke vlerësuar se veprat penale janë të natyrës së rëndë dhe komplekse.
Sipas Gjykatës, çdo masë tjetër përveç paraburgimit do të ishte e pamjaftueshme për zbatimin e procedurës penale.
Në arsyetimin e saj, Gjykata thekson se nëse të dyshuarit do të liheshin të lirë, ekziston rreziku i arratisjes, i ndikimit në dëshmitarë dhe në prova, si dhe mundësia për pengimin e hetimeve.
Palët e pakënaqura nga ky aktvendim kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.




















































