LAJMI I FUNDIT:

Papunësia mes grave amerikane ka shënuar rritje

Sipas një studimi të publikuar nga Kongresi amerikan, numri i grave që punojnë ka patur rënie. Disa ekspertë kishin shprehur mendimin se gjithnjë e më shumë gra po heqin dorë nga karriera që të kalojnë më shumë kohë në shtëpi. Por një raport i Komisionit të Përbashkët të Kongresit për Ekonominë, arrin në përfundimiin se një numër i madh grash që kanë humbur punën në vitin 2001, nuk kanë filluar punë tjetër.

Numri i grave amerikane që punojnë është rritur ndjeshëm nga vitet ’60. Por në vitin 2001, ky numër filloi të bjerë. 48-vjeçarja Tuti Samson, punonte në fabrikën e prodhimit të lavatriçeve Maytag në Bakster, të Ohajo.

“Ja kaloja mirë në punë, shkoja mirë me kolegët dhe më pëlqente që punoja për prodhimet cilësore të fabrikës”, – thotë ajo.


Që kur ka humbur punën 9 muaj më parë, zonja Samson nuk ka gjetur më një punë po aq të mirë.

“Shumica e bizneseve paguajnë vetëm 8-9 dollarë në orë. Në Maytag, ku punoja unë, paga bazë ishte 20 dollarë në orë dhe veç kësaj, na jepnin edhe stimuj të tjerë”.

Disa ekspertë fillimisht mendonin që gratë rrinin në shtëpi për të rritur fëmijët, por studimi tregon se përparimi që kanë bërë gratë në një sërë fushash, i ka bërë ato po aq të prekshme ndaj shkurtimit të vendeve të punës, sa edhe burrat.

Autorja dhe mbrojtësja e të drejtave të grave, Areva Martin thotë se një tjetër arsye që një numër më i vogël grash po kthehen në punë, janë pagat e ulëta.

“Gratë i mbrojnë vetë të drejtat e tyre dhe ato po thonë se nuk duan të qëndrojnë më në vendin e punës për paga më të ulëta”, thotë ajo.

Rënia me 2 për qind e numrit të grave amerikane që punojnë, mundet të mos duket një shifër tepër e lartë. Por ajo përfaqëson 4 milionë gra në vitet e tyre më produktive, mes moshës 25 dhe 54 vjeçare. Zonja Samson thotë se shqetësohet për të ardhmen e familjes së saj.

Kam një vajzë dhe mendjen e kam pas 4 vitesh, kur ajo do të shkojë në universitet dhe kur mendoj se çmimet po rriten nga dita në ditë, them se do të jetë e vështirë”, – thotë Samson.

Statistikat tregojnë se gratë që punojnë sjellin një të tretën e të ardhurave të përgjishme të familjes. Ekonomistët thonë se humbja e vendeve të punës përbën një barrë edhe më të madhe për familjet që kanë vështirësi financiare, për shkak të dobësimit të ekonomisë amerikane. ?VOA/