Policia e veshur me rroba speciale është mbledhur dje rreth trupit të një burri që është gjetur i vdekur në rrugët e qytetit kinez Wuhan, epiqendra e epidemisë së virusit vdekjeprurës.

Ky burrë ishte rrëzuar dhe kishte mbetur i vdekur në vend. Ai kishte pasur në fytyrë maskën mbrojtëse kur u rrëzua në rrugët e qytetit Wuhan, që ka 11 milionë banorë dhe që është futur në karantinë pas shpërthimit të coronavirusit, transmeton Telegrafi.


Personeli mjekësor nën masat e rrepta të sigurisë e mbështollën trupin me batanije para se policia ta mbulonte me kuti druri, me qëllim që kalimtarët e rastit të mos shqetësohen me atë pamje.

Me të mbërritur në vend të ngjarjes ekipet kompetente, personeli tjetër mjekësor ka dezinfektuar me sprej vendi ku kishte qëndruar i shtrirë trupi i pajetë i burrit.

Mediat lokale raportojnë se ishte pikërisht coronavirusi që i shkaktoi vdekjen. /Telegrafi/