Shfaqen pamje të reja atentatit të synuar ndaj presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, në hotelin në qytetin Marmaris të Muglas, ku po qëndronte të premten në kohën e puçit ushtarak kundër tij.

Në regjistrimet nga kamera e sigurisë të një hoteli tjetër - pranë atij ku ishte Erdogani - shihet se puçistët avancojnë nga brigjet drejt hotelit Grand Yazıcı, ndërsa pas luftimeve me truprojat e presidentit, prej lokacionit të quajtur Turban drejtohen kah rruga kryesore.


Puçistët ndalen kohë pas kohe për ta vëzhguar terrenin. Në armët e ushtarëve shihen dylbi dhe laserë. Fytyrat e tyre shihen qartë.

Në këndin e xhirimit të kamerës hyjnë 22 ushtarë. Ata priten nga ekipet policore të Marmarisit, ndërkohë që kamera gjithashtu shfaq rënien e policit Nedip Cengiz Eker - familjar i kryetarit të Partisë Republikane Popullore, Kemal Kılıçdaroğlu - nga të shtënat e para që i hapi Ushtria. Automjeti i tij ishte qëlluar me 22 plumba.