Sulmuesi suedez Alexander Isak u pa i dëshpëruar në rikthimin e tij në stërvitje me Newcastle, vetëm pak orë pasi shpërtheu polemika mbi të ardhmen e tij.

25-vjeçari, i cili sezonin e kaluar ishte golashënuesi më i mirë i klubit me 27 gola, ka bërë të qartë se dëshiron të transferohet te Liverpool, duke akuzuar klubin se ka thyer premtimet ndaj tij.


Në një deklaratë të publikuar të martën, Isak tha se "do të ishte më mirë të largohej", duke ndezur tensionet me drejtuesit e klubit.

Newcastle reagoi menjëherë me një deklaratë të prerë, ku theksoi se "nuk është bërë kurrë asnjë premtim" që lojtari të lejohej të largohej.

Situata u përshkallëzua edhe më tej të mërkurën, kur suedezi mbërriti në qendrën stërvitore të Darsley Park. Ai u stërvit i veçuar nga pjesa tjetër e skuadrës dhe nuk pati asnjë ndërveprim me stafin teknik apo shokët e ekipit.

Për seancën e tij u angazhua një trajner i akademisë, ndërsa burime pranë klubit zbuluan se Isak bëri vetëm disa ushtrime të lehta, vrapime dhe pasime të thjeshta, gjë që u përshkrua si “pamje e trishtueshme”.

Sulmuesi vlerësohet me 175 milionë euro, ndërsa pritet të gjobitet për shkak të refuzimit për të luajtur në ndeshjen e fundit kundër Aston Villas.

Ndërkohë, Newcastle ka sqaruar se i ka ofruar atij të gjitha mjetet e nevojshme për t’u stërvitur, por pa e përfshirë në programet kolektive të ekipit.

E ardhmja e Isak mbetet në dilemë, teksa Liverpool ka shfaqur interes serioz për të, ndërkohë që marrëdhënia e tij me “Larasakat” duket se ka arritur në pikën më kritike që nga transferimi i tij rekord në vitin 2022. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app