Pamje dramatike në Gaza - palestinezi vendosi eksploziv nën tankun izraelit

Në rrjetet sociale dhe kanalet e fraksioneve palestineze u shfaq një video që tregon momentin kur një luftëtar palestinez në Rripin e Gazës vendos një mjet shpërthyes nën një tank izraelit Merkava, i cili më pas shpërthen në një shpërthim të fuqishëm pas disa sekondash.
Videoja tregon një luftëtar, që thuhet se është anëtar i Brigadave Al-Quds, krahu ushtarak i Xhihadit Islamik Palestinez, duke iu afruar një tanku që është i palëvizshëm ose që lëviz ngadalë nëpër rrugët e Gazës.
Luftëtari më pas vendos një mjet shpërthyes, tërhiqet shpejt nga vendi i sulmit dhe pas një pauze të shkurtër, ndodh një shpërthim i fuqishëm që godet tankun.
Sipas raportimeve nga terreni bëhet fjalë për një mjet shpërthyes të tipit EFP (Explosively Formed Penetrator), i cili është projektuar për të depërtuar edhe në objektivat më të blinduara, siç është tanku izraelit Merkava.
Nuk dihet saktësisht se cili ishte përfundimi i shpërthimit për ekuipazhin e tankut, por nga video bëhet me dije se automjeti ka pësuar dëmtime të rënda.
Skena të tilla po bëhen më të shpeshta në javët e fundit të ofensivës tokësore të Izraelit në Gaza, ku fraksionet palestineze po përdorin metoda guerile për të luftuar forcat e blinduara izraelite që lëvizin nëpër zonat urbane.
Sulmet si ky paraqesin një sfidë serioze për ushtrinë izraelite, njësitë e së cilës, pavarësisht sistemeve të avancuara të mbrojtjes, duke përfshirë sistemin e mbrojtjes aktive "Trophy", mbeten të pambrojtura në lagjet e afërta dhe mjediset urbane.
Brigadat Al-Quds dhe grupet e tjera të armatosura palestineze publikojnë rregullisht pamjet e veprimeve të tyre, të cilat kanë një qëllim të dyfishtë - të rrisin moralin e popullatës lokale dhe luftëtarëve, dhe të demonstrojnë aftësi taktike në një luftë të zhvilluar si me armë ashtu edhe me propagandë. /Telegrafi/





















































