Avokati nga Prishtina, Dastid Pallaska, i është përgjigjur ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, i cili javën e kaluar - në një intervistë për RTV Dukagjini - kishte deklaruar se ata që flasin për komb kosovar janë titistë - jugosllavë!


Pallaska, në emisionin "Përballje" - që është bashkëprodhim i gazetarit Muhamet Hajrullahu me Telegrafi.com për Radiotelevizionin Dukagjini - tha se Berisha është person që politikisht ka vdekur e po mundon të rikthehet duke keqpërdor kombin.

"Një njeri i cili e ka mbajt luftën e Millosheviqit në Kroaci dhe në Bosnje, me furnizim me naftë (në kohën kur e gjithë ish-Jugosllavia ka qenë nën sanksione ndërkombëtare), me të mbajt sot fjalim për shqiptarinë, mundet me qenë pjesë e ndonjë emisioni humoristik ", ka deklaruar Pallaska në emisionin "Përballje".

Për debatin e Kosovë-Shqipëri për “identitetin kombëtar”, për kombëtaret e për tema tjera është diskutuar gjatë në emisionin "Përballje". Aty, aktori Kushtrim Sheremeti, që është pjesë e Lëvizjes për Bashkim, ka deklaruar se debati për kombin Kosovë-Shqipëri nuk ekziston.

“Debati i tillë si me fole, a është qumështi i bardhë a i kuq!? Na mundemi me jep mendime që nuk është krejt i bardhë, po është pak ma i kuq, po qumështi është i bardhë”, thotë ai. “Jemi shqiptarë dhe kjo nuk diskutohet”.

Në këtë debat të pranishëm ishin edhe regjisori Fatos Berisha dhe stilistja Enkelejda Shatri. /Telegrafi/