LAJMI I FUNDIT:

Paguan deri në 5 mijë euro për status të veteranit

Paguan deri në 5 mijë euro për status të veteranit

Listat e veteranëve, të invalidëve dhe të dëshmorëve të luftës së UÇK-së në Drenicë u “frynë” për më shumë se 4 mijë “luftëtarë”.

Shumë prej tyre thonë se e blenë me para statusin e veteranit deri në 5 mijë euro, prandaj veteranët e vërtetë janë “rebeluar” duke kërkuar që ata të tërhiqen dhe t’ua lëshojnë vendin përfituesve.

Para fillimit të verifikimit Skenderaj i kishte 208 dëshmorë (tani 220), 222 invalidë (tani 700) dhe rreth 3 mijë veteranë (tani gati 7000).


Vendi ku shpërtheu lufta e UÇK-së e ku populli krenohej dhe mburrej me luftën e atyre që derdhën gjak, me ata që lanë pjesë të trupit në zonat e luftës, si dhe me ata që me pushkë luftuan okupatorin deri në shporrjen e tij nga Kosova, tani është bërë vend i shumë pakënaqësive, kundërshtimeve dhe akuzave në adresë të atyre që kontribuuan për fryrjen enorme të listave të veteranëve, të dëshmorëve dhe të invalidëve, shkruan gazeta Zëri.

Çka është edhe më me rëndësi, pakënaqësitë e tyre i manifestojnë pikërisht ata ish-luftëtarë, të cilët ishin pjesë e luftës së UÇK-së që prej themelimit e të cilët nuk duan të jenë në një kategori me ata që luftën e UÇK-së e kanë përcjellë nga televizori, me ata të cilët gjatë luftës “bënin sefa” në shtetet e Perëndimit dhe “vajtonin” nga atje për krimet që bënte ushtria, policia dhe paramilitarët serbë në Kosovë dhe me ata që luftën e kanë kaluar tek miqtë e dashamirët pa u prekur fare nga dhuna serbe. /Zëri/Telegrafi/