Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim një delegacion të Grupit të Miqësisë Austri-Kosovë në Parlamentin e Austrisë, të përbërë nga deputetë të partive të ndryshme politike në Austri.

Në takim me delegacion austriak, Presidentja Osmani ka falënderuar shtetin e Austrisë për mbështetjen ndaj Kosovës përgjatë viteve, ndërsa ka shprehur gatishmërinë që të hapen kapituj të rinj të bashkëpunimit në mes të dy vendeve tona.


Screenshot 2 48

Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka përmendur edhe rolin jetik të diasporës sonë në Austri si urë ndërlidhëse e bashkëpunimit dypalësh, si dhe në forcimin e mëtejmë të raporteve të shkëlqyera ndërshtetërore.

Në takim u diskutua edhe për zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë.

Presidentja ka përmendur veprimet e vazhdueshme destruktive të Serbisë, të cilat kanë për qëllim të drejtpërdrejt destabilizimin e vendit tonë.

"Me këtë rast, Presidentja Osmani potencoi se ballafaqimi me drejtësinë i grupeve kriminale të mbështetura nga Serbia që sulmuan Policinë e Kosovës, pjesëtarët e KFOR-it dhe EULEX-it, gazetarët dhe qytetarët është i domosdoshëm. Në këtë frymë, Presidentja Osmani theksoi se Kosova është e përkushtuar për kontribut për paqen dhe stabilitetin e vendit dhe rajonit, në koordinim me aleatët", njofton Zyra e Presidentes.

Presidentja Osmani shtoi se Kosova vlerëson mbështetjen e rëndësishme të Austrisë për integrimin e Kosovës në BE dhe organizata tjera ndërkombëtare, duke theksuar se avancimi i Kosovës në arenën ndërkombëtare sjellë më shumë stabilitet e prosperitet për të gjithë qytetarët, pa dallim.

Më tej, në takim u diskutua edhe për mundësitë e rritjes së bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Austrisë, ndaj në këtë kontekst Presidentja Osmani përmendi potencialin ekonomik që ka Kosova, sikurse edhe mjedisin e favorshëm për investitorët e huaj. Politika e jashtme, arsimi, fuqizimi i grave dhe shkëmbimi tregtar u përmendën në kontekst të thellimit të bashkëpunimit të Kosovës me Austrinë./Telegrafi/

Screenshot 3 46