Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim zëvendëskryeministren e Sllovenisë, Tanja Fajon, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme.

Marrëdhëniet me Slloveninë janë vlerësuar si tejet miqësore, teksa Osmani ka çmuar mbështetjen historike të Sllovenisë për Kosovën dhe për integrimin e saj ndërkombëtar.


“Në këtë drejtim, presidentja Osmani ka falënderuar Slloveninë për angazhimin e saj në Ballkanin Perëndimor, të cilën gjë e ka treguar edhe me emërimin e një emisari special.

Po ashtu, në takim u diskutua edhe përkushtimi i përbashkët i thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet të dy shteteve në fusha të ndryshme”, thuhet në njoftimin për media.

1 117

Osmani dhe Fajon diskutuan edhe për zhvillimet aktuale në veri të vendit dhe përpjekjet e institucioneve të Kosovës për vendosjen e rendit dhe ligjit.

“Kurse sa i përket dialogut me Serbinë, presidentja Osmani ka potencuar se Kosova mbetet palë konstruktive, por Serbia me obstruksionet e saj dhe duke përdorur bandat kriminale në veri të vendit po përpiqet ta destabilizojë Kosovën dhe ta pengojë dialogun”, thuhet në njoftim.

Megjithatë, Osmani theksoi se Kosova është e përkushtuar për paqe e stabilitet dhe se synim parësor mbetet integrimi euroatlantik i Kosovës.

Në këtë drejtim, presidentja Osmani ka kërkuar mbështetjen e Sllovenisë për rrugëtimin euroatlantik të Kosovës dhe anëtarësimin në organizata të tjera ndërkombëtare. /Telegrafi/