Osmani: Prekazi, kështjellë e lirisë dhe fortifikatë e pamposhtur

Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 27-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani ka kujtuar sakrificën e Familjes Jashari dhe rëndësinë historike të betejës së Prekazit.
Gjatë një adresimi solemn, Osmani theksoi se ngjarjet e 5-7 marsit 1998 përbëjnë njërën nga betejat më heroike të historisë së kombit shqiptar.
"Dëshmorë përveç burrave u bënë edhe fëmijët, gratë e pleqtë, sepse Prekazi nuk ishte vetëm një fshat. Prekazi ishte një kështjellë e lirisë, ishte një fortifikatë e pamposhtur e kombit tonë dhe i tillë mbetet edhe sot", tha Osmani.
Ajo theksoi se epopeja e UÇK-së është një testament i përjetshëm i qëndresës, sakrificës dhe pathyeshmërisë së popullit shqiptar.
"Kjo epope, përveçse një betejë, ishte një thirrje e ndërgjegjes kombëtare që u dëgjua nga zemrat e miliona shqiptarëve kudo. Ajo ishte një ushtrim i lirisë që u përhap nga Prekazi në çdo cep të Kosovës", theksoi Osmani, duke përmendur edhe viset shqiptare që qëndruan të forta gjatë luftës.
Epopeja e UÇK-së, që simbolizon rezistencën e popullit të Kosovës ndaj okupimit serb, kujtohet çdo vit me aktivitete shtetërore dhe ceremoniale në nder të të rënëve për liri./Telegrafi/

















































