Osmani: Kjo njohje është vlerësim për sakrificën e popullit të Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka konfirmuar se Republika Arabe e Sirisë ka njohur zyrtarisht pavarësinë e Kosovës, pas një takimi trilateral të mbajtur në Riad, me mbështetjen e Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman Al Saud.
Osmani tha se marrëveshja është arritur sot në kryeqytetin saudit, duke falënderuar presidentin sirian, Ahmed al Sharaa, për vendimin e njohjes dhe për mbështetjen ndaj popullit të Kosovës.
“Me mbështetjen e Lartësisë së tij Mbretërore, Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, sot në Riad arritëm marrëveshjen nëpërmjet së cilës Republika Arabe e Sirisë njeh Republikën e Kosovës. Falënderoj Presidentin Al Sharaa për vendimin për njohje të Kosovës si dhe për mbështetjen e tij për popullin tonë,” ka deklaruar Osmani.
Ajo theksoi se populli i Kosovës dhe ai i Sirisë kanë kaluar nëpër sakrifica të mëdha për liri, duke e cilësuar këtë njohje si njohje të sakrificës dhe sovranitetit shtetëror.
“Populli i Kosovës dhe ai i Sirisë kanë vuajtur e sakrifikuar shumë për ta arritur lirinë. Prandaj kjo njohje e ndërsjellë sot nuk është vetëm e sovranitetit shtetëror, por edhe njohje e sakrificës së shumë brezave për të jetuar të lirë,” ka shtuar ajo.


















































