Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim, ORCA, ka publikuar të martën raportin “Integriteti Akademik dhe Publikimi Shkencor në Universitetin e Prishtinës”.

Sipas tyre, Universiteti i Prishtinës në shtatë vitet e fundit ka shënuar progres të jashtëzakonshëm sa i përket publikimeve shkencore.


Aty potencohet se prej vitit 2017 deri në vitin 2024 janë regjistruar 3910 punime shkencore në UP, ndërkaq prej punimit të parë të stafit akademik të UP-së në vitin 1988 e deri në vitin 2017 kanë qenë të identifikuara gjithsej 1310 punime shkencore.

Drejtori ekzekutiv në ORCA, Dibran Hoxha, tha se ky progres në Universitetin e Prishtinës tregon se vetëm në shtatë vitet e fundit ky institucion ka prodhuar më shumë shkencë sesa në tri dekadat e fundit.

Duke treguar publikimin e mesatareve të punimeve shkencore sipas fakulteteve, ai tha se në këtë element prin Fakulteti i Shkencave Matematike, ku për 101 persona staf akademik janë evidentuar 1085 punime.

Krahas kësaj, ai theksoi se 74 për qind e stafit akademik në Universitetin e Prishtinës justifikojnë titullin akademik.

“Institucionet publike të arsimit të lartë, specifikisht Universiteti i Prishtinës, ka bërë një përparim të jashtëzakonshëm në vitet e fundit sa i përket publikimit shkencor në këtë institucion. Rrjedhimisht edhe justifikimit të titujve akademik... Prej vitit 1988, kur është evidentuar publikimi i parë shkencor në UP, deri në vitin 2017 kanë qenë 1310 punime të identifikuara në UP. Ndërkaq prej vitit 2017 deri në fund të vitit 2024 janë evidentuar edhe 2600 punime të tjera në Universitetin e Prishtinës. Pra, nga 1988 deri më 2017, për 29 vite, 1310 punime, ndërsa në shtatë vitet e fundit 2600 të tjera. Pra, 66 për qind e punimeve shkencore në Universitetin e Prishtinës që prej kur është themeluar ky institucion datojnë në shtatë vitet e fundit. Ky është sukses i jashtëzakonshëm i institucionit, partnerëve dhe shoqërisë kosovare në përgjithësi... Prin FSHM, ku për 101 staf akademik evidentohen 1085 punime, pra 10.7 punime për kokë profesori. Fakulteti i Bujqësisë është i dyti e deri te Fakulteti i Arkitekturës ka një përqindje më të ulët të publikimeve shkencore... Për vitin 2024, 74 për qind e stafit akademik në Universitetin e Prishtinës justifikojnë titullin akademik që ata mbajnë. Kjo është një arritje dhe është një progres që po vërehet lehtë”, tha ai.

Pjesë e publikimit të këtij raporti ishte edhe rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, i cili tha se progresi në UP është një sukses i përbashkët. Madje, ai theksoi se Universiteti i Prishtinës, sa i përket integritetit dhe justifikimit të titujve akademikë, qëndron më mirë sesa universitetet e tjera, madje edhe shqipfolëse në rajon.

“Asnjëherë masa më e madhe e profesorëve nuk e ka parë Agjencinë e Akreditimit por as shoqërinë civile si kundërshtar. Jemi në të njëjtën anë të medaljes duke provuar për t’u përmirësuar secilën herë. Statistikat që i raportoni këtu tregojnë për një sukses të përbashkët. Kjo është shumë me rëndësi për t’u theksuar. U fol për integritetin, rritjen pozitive dhe justifikimin e titujve, edhe në krahasim me universitetet e tjera ku UP-ja qëndron më mirë. Është e kuptueshme me krejt parametrat që UP-ja në shumë aspekte qëndron më mirë, jo vetëm në krahasim me universitetet e tjera publike, por edhe me të gjitha universitetet e tjera në hapësira gjeografike ku jetojnë shqiptarët. Jemi universiteti i ranguar në lista dhe indekse ndërkombëtare më së miri”, theksoi ai.

Ndërkaq, drejtori i Agjencisë së Akreditimit të Kosovës, Naim Gashi, tha se Universiteti i Prishtinës në justifikimin e titujve akademikë ka shënuar rritje prej 55 për qind, në krahasim me vitin 2018.

“Kur e shohim Universitetin e Prishtinës, e bëra një krahasim për vitet 2018-2024, kur sot 74 për qind i arsyetojnë titujt akademik dhe më parë kanë qenë 41. Kjo i bie një rritje prej 55 për qind, pra për gjashtë vite me pas një rritje të tillë për arsyetimin e titujve akademik është një arritje e madhe. Kjo na gëzon shumë... Qëllimi jonë është i përbashkët — ngritja e cilësisë dhe kjo po tregohet në statistika”, theksoi Gashi.

Sipas ORCA-s, punimi i parë i stafit akademik të Universitetit të Prishtinës i evidentuar në databaza ndërkombëtare është publikuar në vitin 1988.