Telegrafi

Opinion i tetë ministrave evropianë të Financave: Rusia po gënjen për fuqinë e vet ekonomike

Ilustrim: Vladimir Putini viziton Uralvagonzavodin, fabrikën kryesore ruse të tankeve (foto: Ramil Sitdikov/AFP/Getty Images, 15 shkurt 2024)

Burimi: The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Elisabeth Svantesson, ministre e Financave, Suedi
Stephanie Lose, ministre për Çështjet Ekonomike, Danimarkë
Mart Võrklaev, ministër i Financave, Estoni
Riikka Purra, ministre e Financave, Finlandë
Arvils Ašeradens, ministër i Financave, Letoni
Gintarë Skaistë, ministre e Financave, Lituani
Eelco Heinen, ministër i Financave, Holandë
Andrzej Domański, ministër i Financave, Poloni

Presidenti Vladimir Putin dhe regjimi i tij autoritar po përhapin narrativën e rreme se ekonomia ruse është e fortë dhe se makineria e saj e luftës është e padëmtuar nga sanksionet e Perëndimit. Kjo është gënjeshtra të cilën duhet hedhur poshtë. Në fakt, ka shumë shenja se ekonomia ruse e luftës po përkeqësohet. Janë të efektshme sanksionet dhe masat e tjera për të dobësuar ekonominë ruse, por mund të bëhet edhe më shumë. Ne duhet të vazhdojmë të rrisim presionin mbi regjimin e Putinit dhe të mbështesim Ukrainën.

Gjatë samitit të NATO-s në Uashington, liderët perëndimorë riafirmuan angazhimin e tyre për mbrojtjen e Ukrainës. Por, lufta e Rusisë kundër Ukrainës nuk po luftohet vetëm nga ushtarët në terren. Është gjithashtu luftë e informacionit për të cilën Kremlini shpenzon rreth 1.5 miliard dollarë [1.38 miliardë euro] në vit dhe këto nga baza ekonomike. Putini dhe regjimi i tij autoritar duan që ne të besojmë se Rusia qëndron e palëkundur nga sanksionet dhe nga përpjekjet tona të tjera për ta mbështetur Ukrainën, lirinë dhe demokracinë. Prandaj, është shumë e rëndësishme që politikanët, mediat dhe institucionet ekonomike në Perëndim të mos i marrin për të vërteta informacionet që dalin nga Kremlini. Kur ia hedhim një vështrim më të afërt sinjaleve, bëhet e qartë se gjithçka nuk është si duhet me ekonominë ruse – jo siç do të na donte Moska të besojmë.

Derisa PBB-ja ruse mund të jetë në rritje, ekonomia po orientohet gjithnjë e më shumë drejt industrisë së luftës, duke u mbështetur nga stimujt e mëdhenj fiskal. Ky nuk është burim i pafund i rritjes, as shenjë e ekonomisë së qëndrueshme. Fabrikat e luftës së Kremlinit tashmë janë në kapacitetin maksimal. Papunësia ka rënë deri në atë pikë saqë ka raportime se Vladimir Putini miratoi zhvendosjen e të burgosurve për punë të detyruar. Tregu i shtrënguar i punës ka ushtruar presion në rritje mbi pagat, ndërsa rubla më e dobët rrit çmimet e importeve dhe kontribuon në inflacion gjithnjë e më të lartë – pavarësisht përpjekjeve të Bankës Qendrore të Rusisë për ta luftuar atë me norma të larta interesi.

Për ta financuar luftën, Qeveria ruse ka shfrytëzuar asetet likuide të fondit të pasurisë kombëtare të Rusisë. Vlerësimet e Bloomberg-ut sugjerojnë se pothuajse është përgjysmuar në madhësi – që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia – pasi vendi sakrifikon prosperitetin e ardhshëm të saj për të bërë kërdi jashtë shtetit. Moska gjithashtu ka përdorur disa ndërhyrje ekstreme për të kontrolluar ekonominë ruse. Ndalimet e eksportit të benzinës dhe të sheqerit janë futur për të siguruar furnizimin e brendshëm. Janë vendosur kontrolle të rrepta të kapitalit për të parandaluar eksodin e fondeve private nga vendi dhe për të parandaluar rënien e lirë të rublës. Megjithatë, ka ende raporte për miliarda dollarë amerikanë të transferuar jashtë vendit.

Për shumë rusë, politika ekonomike e Kremlinit e kohës së luftës duhet të sjell ndjesinë për një dezha vy. Nuk janë politika të reja kontrollet e kapitalit, ndalimi i eksporteve dhe investimet e mëdha në industrinë e luftës, por më tepër rikthim në manualin sovjetik.

Në fakt, ajo që mund të perceptohet dhe të gabohet si “nxitje” për rritjen ruse, është fillimi i risovjetizimit të ekonomisë.

Shumë nga shenjat dalluese janë këtu: kontrolle të gjera të tregut, shpenzime të mëdha publike të financuara nga shpronësimi i aseteve private dhe riorientimi i ekonomisë drejt industrisë së luftës – me një shpërfillje totale për mirëqenien sociale dhe ekonomike të popullsisë. Historia tregon qartë se kjo nuk është strategji e suksesshme në aspektin afatgjatë. Mbinxehja afatshkurtër e ekonomisë, e nxitur nga investimet e mëdha në industrinë e luftës dhe qasja shumë e kufizuar në teknologji, ka të ngjarë të vështirësojë përfitimet nga produktiviteti dhe të rezultojë në ngecje të sektorit privat, inflacion edhe më të shfrenuar dhe presion të shtuar mbi familjet ruse.

Për të mbuluar deficitet e ardhshme, Putini duhet të përdor financimin monetar, duke shtuar kështu më shumë zjarr te inflacioni dhe duke varfëruar më tej rezervat e parave ruse. Nëse Putini qëndron në këtë rrugë, dëmi afatgjatë për ekonominë ruse mund të jetë domethënës dhe ka të ngjarë të gërryejë më tej besimin. Megjithatë, kjo kërkon edhe durim edhe vendosmëri nga Perëndimi. Presionin duhet ta mbajmë dhe ta rrisim edhe më tej, duke vazhduar dhe forcuar mbështetjen tonë për Ukrainën. Propaganda ruse nuk duhet të lihet pa u sfiduar.

Ndryshe nga historia të cilën Rusia do të donte të tregonte, janë efektive dhe të nevojshme sanksionet të cilat cak kanë makinerinë ruse të luftës. Ato kanë riformuar gjeografinë e tregtisë së jashtme të Rusisë dhe kanë kufizuar qasjen e saj tek artikujt me prioritet të lartë për fushëbetejën. Bazuar në informacionin e shërbimit doganor rus, të ardhurat nga eksportet ruse mes viteve 2022 dhe 2023, janë ulur me rreth një të tretën. Tani po merren masat e mëtejshme për të rritur edhe më shumë presionin. Në qershor, BE-ja miratoi paketën e saj të 14-të të sanksioneve, duke përfshirë masat të cilat synojnë gazin e lëngshëm natyror dhe flotën në hije të Rusisë e cila naftën e sanksionuar ruse e transporton në mbarë botën.

Ndërkohë, në samitin e G7-ës liderët morën hapa të mëtejshëm për të penguar Kinën nga ndihma e dhënë në anashkalimin e sanksioneve, ndërsa ranë dakord të japin një hua prej 50 miliardë dollarëve [46.12 miliardë euro] për Ukrainën, e cila do të rikthehet dhe do të shlyhet nga të ardhurat e pritshme – në të ardhmen – prej aseteve të bllokuara të Bankës Qendrore të Rusisë. Këta janë hapa shumë të mirëpritur dhe të rëndësishëm.

Megjithatë, nevojiten hapa të mëtejmë për të kufizuar Rusinë dhe për të mbështetur Ukrainën. Perëndimi duhet të sigurojë operacionalizimin e shpejtë dhe efikas të marrëveshjes së G7-ës për dhënien e kredive për Ukrainën dhe të eksplorojë opsionet për zgjidhje më të gjera – në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe të BE-së. Asetet duhet të mbeten të ngrira dhe sanksionet duhet të mbeten në fuqi derisa Rusia të ketë paguar për dëmin që ka shkaktuar.

Ndërkohë, mbështetja për Ukrainën duhet të ruhet dhe forcohet, ndërsa duhet të jepen më shumë armë dhe municione. Të gjitha kombet tona kanë kontribuar në mënyrë të konsiderueshme në mbështetjen e Ukrainës, si financiarisht ashtu edhe ushtarakisht, dhe do të vazhdojnë ta bëjnë këtë për aq kohë sa të duhet.

Sanksionet duhet të forcohen – veçanërisht në sektorët me rëndësi strategjike, si energjia, financat dhe teknologjia; ndërsa, duhet të përmirësohet zbatimi i sanksioneve ekzistuese.

Si vendet kufitare ashtu edhe ato burimore duhet të vazhdojnë të punojnë në mbylljen e zbrazëtirave të cilat drejtpërdrejt ose tërthorazi lejojnë dërgimin e të gjitha mallrave me të cilat ushqehet makineria ruse e luftës. Në veçanti, tavani i çmimit të naftës së papërpunuar ruse duhet të zbatohet më mirë, pasi ende shohim tregti mbi tavanin e 60 dollarëve për fuçi. Është gjithashtu me rëndësi që të zbatohen sanksionet ndaj Bjellorusisë dhe të bëhet më shumë presion mbi gjithë të tjerët në Azinë Lindore dhe në Lindjen e Mesme të cilët mundësojnë shmangien e sanksioneve.

Ukrainasit po luftojnë betejën ekzistenciale për liri dhe demokraci, kundër shtypjes dhe autoritarizmit. Mbështetja e Ukrainës dhe minimi i kapacitetit të Rusisë për të bërë luftë në çdo moment, duhet të jetë prioriteti kryesor i çdo vendi demokratik. Duke risovjetizuar ekonominë ruse, Putini e ka vënë atë në rrugën drejt rënies. Tani është koha që Perëndimi të rrisë edhe më shumë presionin. /Telegrafi/