LAJMI I FUNDIT:

Operatorët e telefonisë nuk ndjehen të sigurt për shtrirje në veri

Operatorët e telefonisë mobile në Kosovë, ai i Telekomit të Kosovës dhe IPKO, nuk po arrijnë të shtrijnë operimet dhe shërbimet në pjesën veriore të Kosovës, kryesisht në zonat e banuara me shumicë serbe, për shkak të, siç thuhet, mungesës së sigurisë.

Shtrirja në pjesën veriore e të gjitha shërbimeve që ofrojnë këta dy operatorë ishte kërkuar të bëhet menjëherë pas ndërprerjes së punës së operatorëve ilegal serbë “Telenor” dhe “VIP mobile”, të cilët kishin vepruar në mënyrë të pa autorizuar në territorin e Kosovës.

Në zonat e banuara më shumicë serbe, sipas një marrëveshjeje për telekomunikacionin të arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, autoritetet e telefonisë në Prishtinë, kanë licencuar tashmë operatorin e telefonisë mobile serbe, MTS.d.o.


Ndërkohë, me licencë të plotë për operim në të gjithë territorin e Kosovës ekzistojnë edhe dy operatorë të licencuar të telefonisë mobile, ai i Telekomit të Kosovës dhe IPKO.

Kryetari i Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Kreshnik Gashi i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se ndonëse është arritur përparim në shtrirjen e shërbimeve të operatorëve, VALA dhe IPKO në pjesën veriore të Kosovës, megjithatë nuk ka ende shtrirje të plotë të të gjitha shërbimeve në atë pjesë.

“Operatori telefonik Vala dhe IPKO kanë licencë për shtrirje të shërbimeve të tyre në tërë territorin e Republikës së Kosovës, por për arsye të çështjeve të sigurisë në një pjesë të caktuar, kryesisht në pjesën veriore, jo në atë jugore, ka pasur probleme me shtrirjen e infrastrukturës së tyre”.

“Kohëve të fundit, Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare – ARKEP së bashku me operatorët, kanë bërë përpjekje të vazhdueshme dhe kanë punuar me strukturat e ndryshme shtetërore në mënyrë që të ketë shtrirje të plotë të këtyre operatorëve edhe në veriun e Kosovës”, thekson Gashi.

Shtrirja e autoritetit të institucioneve shtetërore të Kosovës në pjesën veriore vazhdon të mbetet një nga sfidat më të mëdha në Kosovë. Strukturat paralele serbe, që mbështeten edhe nga Beogradi, nuk kanë lejuar shtrirjen e institucioneve të vendit në atë pjesë.

Drejtori teknik i Telekomit të Kosovës, Mehdi Latifaj, i tha Radios Evropa e Lirë se shtrirja e shërbimeve të operatorit mobil ‘VALA’ në pjesën veriore të Kosovës mund të bëhet brenda një periudhe të shkurtër, nëse do të gjinden lokacione të sigurta.

Latifaj thotë se në të kaluarën ka pasur raste që pajisjet e operatorit “Vala”, të cilat ishin vendosur në pjesë të caktuara në veri të Kosovës ishin dëmtuar dhe ishin nxjerrë nga funksioni.

“Vala ka mbulim në tërë territorin e Kosovës përjashtuar në Mitrovicën veriore dhe vendbanimet që lidhen në aksin rrugor Mitrovicë – Leposaviq në të cilat mbulueshmëria është e pjesshme. Insistimi jonë është që të vendosim antena të reja në këtë pjesë të territorit të Kosovës”.

“Jemi duke punuar në atë drejtim, jemi duke identifikuar lokacionet ku mund t’i vendosim antenat, por edhe në të njëjtën kohë duke i kontraktuar palët të cilat duhet na japin lokacionin me qira, këtu hyjnë edhe elementet e sigurisë në mënyrë që lokacioni të jetë i sigurt dhe të mos jetë i atakuar nga grupe ekstreme dhe gjëra të tilla të ngjashme”, thekson Latifaj.

Probleme të tilla të largimit të pajisjeve të operatorëve në të kaluarën kishte hasur edhe kompania e telekomunikimit IPKO, thotë për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i kësaj kompanie Alban Kastrati.

“Në rrjetin mobil kemi pasur sinjal të konsiderueshëm edhe në pjesën veriore, por pas disa problemeve, antenat bazë janë hequr nga aty nga banorët e asaj zone, por nëse kemi kërkesë nga ana e konsumatorëve në këtë zonë të territorit do të ishim të interesuar që të shtrijmë rrjetin tonë mobil, aty ku mund të mungojë sot”, thekson Kastrati.
Ndryshe, Kosovës, në dhjetor të vitit të kaluar Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimeve (ITU) i ndau kodin telefonik +383. Thirrja e parë telefonike më këtë kod u realizua në shkurt të këtij viti nga PostTelekomi i Kosovës.

Kodet aktuale +377 i Monakos , +386 i Sllovenisë dhe kodi i telefonisë fikse +381 i Serbisë, do të largohen brenda dy viteve, për tu përdorur më pas vetëm kodi +383 i Kosovës. /Rel /Telegrafi/