Futbollisti i Gjilanit, Oltion Bilalli, është deklaruar për herë të parë pas lëndimit të rëndë që pësoi javën e kaluar në ndeshjen kundër Malishevës, në xhiron e 33-të të Superligës së Kosovës.

Ai u godit pa dashje me bërryl gjatë një dueli me portierin Ilir Avdyli në minutat e fundit të ndeshjes dhe më pas u përplas me kokë në tokë, duke pësuar gjakderdhje serioze në kokë.


Pas ndihmës së parë që iu dha në fushë për disa minuta, Bilalli u largua me autoambulancë dhe fillimisht u dërgua në Spitalin e Gjilanit, për t’u transferuar më pas në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë. Mjekët shfaqën shqetësim fillestar për gjendjen e tij, por më pas dolën sinjalet pozitive.

Pas trajtimit që mori në repartin e Neurokirurgjisë në QKUK, Bilalli është tashmë në gjendje të mirë shëndetësore dhe ka dhënë një mesazh falënderues përmes rrjeteve sociale.

“Së pari falënderimet i takojnë Allahut, shëruesit të vetëm, që jam shumë më mirë me shëndet. Dua gjithashtu të falënderoj stafin mjekësor të klubit tim, në veçanti Arben Bislimin, Argjil Shkodrën, stafin mjekësor të Malishevës, lojtarët, familjarët, stafin mjekësor në Gjilan dhe në QKUK dhe të gjithë ata që ishin me mua dhe u përkujdesën për mua në repartin e Neurokirurgjisë në Prishtinë nga momenti i lëndimit deri më sot. Do të mundohem t’u përgjigjem mesazheve një nga një. Falënderimi nga zemra shkon edhe për klubin tim të zemrës që më ka qëndruar afër gjatë gjithë kohës, presidentët, stafi dhe lojtarët”, ka shkruar Bilalli të hënën mbrëma.

Në fund, ai ka premtuar rikthim edhe më të fuqishëm në fushë.

“Me lejen e Zotit shpresoj dhe premtoj se do të kthehem edhe më i fortë se që kam qenë”, ka shkruar tutje Bilalli.

Bilalli, 23 vjeç, luan si sulmues krahu. Ai ka qenë pjesë e përfaqësueses së Kosovës U16, U17 dhe U21, dhe më herët ka luajtur edhe në Turqi për Balikesirsporin. Te Gjilani është një nga lojtarët kryesorë të skuadrës. Pas incidentit të frikshëm, klubet e shumta në vend janë solidarizuar me të dhe kanë dërguar mesazhe mbështetëse për shërimin e tij./Telegrafi/ 

telegrafi sport app