Kryetari i Obiliqit, Halil Thaçi, ka bërë të ditur se Kuvendi Komunal ka miratuar Kodin e Etikës për zyrtarët publikë, duke e cilësuar këtë hap si të rëndësishëm për forcimin e standardeve në shërbimin publik.

Në një postim në Facebook, Thaçi ka falënderuar asamblistët për mbështetjen e dhënë gjatë votimit të këtij dokumenti.


“Faleminderit të gjithë asamblistëve të Kuvendit Komunal të Obiliqit për votimin e Kodit të Etikës për zyrtarët publikë. Ky nuk është vetëm një dokument, është vijë e kuqe”, ka shkruar Thaçi.

Ai theksoi se kodi përcakton standarde të qarta për funksionarët publikë, duke vendosur theksin te përgjegjësia, transparenca dhe integriteti.

“Standardet janë të qarta: përgjegjësi, transparencë dhe integritet pa kompromis”, ka deklaruar ai.

Kryetari i Obiliqit u ka bërë thirrje institucioneve komunale që të zbatojnë në praktikë këtë kod.

“U bëj thirrje të drejtpërdrejtë administratës, shëndetësisë dhe arsimit: zbatimi i këtij kodi është detyrim”, ka theksuar Thaçi.

Ai shtoi se qytetarët meritojnë shërbime cilësore dhe trajtim dinjitoz nga institucionet publike.

“Qytetarët meritojnë shërbim të drejtë dhe dinjitoz”, ka përfunduar Thaçi. /Telegrafi/