LAJMI I FUNDIT:

OAK kundërligjshëm ia lejoi ushtrimin e profesionit avokatit të akuzuar për mashtrim

OAK kundërligjshëm ia lejoi ushtrimin e profesionit avokatit të akuzuar për mashtrim

Hulumtuesit e emisionit “Betimi për Drejtësi” kanë siguruar vendimin e 16 dhjetorit 2021 të Këshillit Drejtues të Odës së Avokatëve, me të cilin të akuzuarit Haxhi Çekaj kundërligjshëm i lejohet ushtrimi i profesionit të avokatisë. Ligji për Avokatinë dhe Statuti i OAK-së specifikon se avokatët nuk mund të ushtrojnë profesionin e tyre përderisa janë në procedurë penale.

Avokatia është profesion i lirë dhe i pavarur që merret me dhënien e ndihmës juridike personave fizikë dhe juridikë për mbrojtjen e lirive, të drejtave dhe të interesave të tyre në pajtim me rendin juridik.

Por, nuk janë të rralla rastet kur avokatët ulën vetë në bankën e të akuzuarit. Paradoksalisht, qytetarët shohin disa avokatë që paradite marrin pjesë në salla të gjykimit si të akuzuar për vepra penale, kurse pasdite në sallat e njëjta ushtrojnë profesionin e avokatit, duke mbrojtur klientët e tyre për vepra penale të njëjta apo të ngjashme.


Me qëllim të shmangies së këtyre situatave, Ligji për avokatinë në nenin 38, pika 1.1 thotë se “Ushtrimi i avokatisë ndërpritet, nëse: kundër avokatit është iniciuar procedurë penale për veprën penale, e cila e bën të padenjë për ushtrimin e avokatisë;”

Edhe në nenin 124 par.1 të Statutit të OAK-së thuhet se “Ndaj avokatit mund të shqiptohet masa e suspendimit të përkohshëm në rastet kur gjykata pas shqyrtimit të dytë të aktakuzës cakton shqyrtimin kryesor në një lëndë penale, e cila e bën të padenjë për ushtrimin e mëtejshëm të veprimtarisë së avokatit”.

Kjo masë e suspendimit, sipas pikës 1.2 të këtij nenin shqiptohet nga Këshilli Drejtues i Odës së Avokatëve, me propozimin e Zyrës së Prokurorit Disiplinor të OAK-së.

Tutje, në piken 1.3 statuti rregullon se Avokatit të suspenduar i ndalohet e drejta për ushtrimin e profesionit, deri në përfundimin e procedurës penale në formën e prerë.

Ndërsa, shpjegohet se Avokati i suspenduar ka të drejtë gjatë kohëzgjatjes së suspendimit, të kërkojë nga Këshilli Drejtues i Odës të rishqyrtojë masën nga par. 1 i këtij neni, nëse me aktgjykim të shkallës së parë është shpallur jofajtor për veprën penale, e cila e bën të padenjë për ushtrimin e mëtejshëm të veprimtarisë së avokatit.

Në lidhje me rastet kur ndaj avokatëve ushtrohen aktakuza, Oda e Avokatëve përkundër Ligjit dhe Statutit të Odës duket se nuk e ka të qartë se si duhet të veprohet. Ndërsa është dëshmuar se vepron në mënyrë selektive dhe për raste të njëjta vepron ndryshe. Një rast i tillë është ai i avokatit Haxhi Çekaj.

Ai me 15 shkurt 2017 ishte arrestuar në zyrën e tij në Pejë, nën dyshimin se si avokat i Nimon Berishës, nga e bija e të mbrojturit, tashmë nga e dëmtuara Mirjeta Imeraj për mbrojtjen e Nimon Berishës, në emër të ekspertizave në Turqi kishte marrë para shumën prej 43 mijë eurove si dhe shumën tjetër prej 40.000.00 eurove, të cilën Çekaj, e ka marrë nga e dëmtuara në emër të trupit gjykues të Gjykatës Themelore në Pejë. Kjo shumë është konfiskuar nga ana e zyrtarëve me rastin e arrestimit të të pandehurit.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ndaj Haxhi Çekaj ka ngritur aktakuzë më 14 prill 2017.

Pas ngritjes së aktakuzës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ishte caktuar mbajtja e seancës më 26 prill 2018. Në këtë seancë, mbrojtja e të akuzuarit Haxhi Çekaj kishte deklaruar se për shkaqe shëndetësore dhe personale i akuzuari dëshiron të bëjë marrëveshje për pranim të fajësisë me prokurorin e rastit. Kjo marrëveshje nuk ishte arritur me prokurorin dhe rasti ishte proceduar në shqyrtim gjyqësor.

Pavarësisht kësaj, edhe pse i akuzuar për vepër penale të mashtrimit, avokati Haxhi Çekaj edhe dy vjet pas ngritjes së aktakuzës kishte vazhduar punën si avokat deri në prill 2019, kur i ishte ndërprerë ushtrimi i profesionit. Ky vendim ishte marrë si masë suspendimi nga  Oda e Avokatëve, deri në përfundim të procedurës penale.

Vendimi i OAK-së për këtë suspendim ishte bazuar në nenin 1.1 të Ligjit për Avokatinë dhe në nenin 124 paragrafi 1 i Statutit të Odës. Në arsyetimin e tij, Këshilli Drejtues i odës, kishte konstatuar se vepra penale e mashtrimit për të cilën Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë dhe ishte caktuar shqyrtimi gjyqësor, avokatin Haxhi Çekaj e bënte të padenjë që të ushtronte profesionin e avokatisë.

Ndër të tjera, Oda e Avokatëve kishte konstatuar se “nuk paraqet imazh pozitiv të avokatisë rrethana e të ushtruarit të profesionit gjatë kohës që zhvillohet procedura penale ndaj një avokati”.

Ndërkohë, Gjykata Themelore në Prishtinë më 2 dhjetor 2019, kishte shpallur fajtor të akuzuarin Çekaj, për veprën penale të mashtrimit dhe e kishte dënuar me 6 muaj burgim, si dhe me 3000 euro gjobë. Sipas këtij aktgjykimi, dënimi me burg ndaj Çekajt, me pajtimin e tij mund t’i zëvendësohet me dënim me gjobë në vlerë prej 5000 euro, ndërsa i akuzuari ishte obliguar të paguante edhe 300 euro në emër të shpenzimeve procedurale.

Ndaj këtij aktgjykimi ishte ankuar mbrojta e të akuzuarit dhe në gusht 2020, rasti ishte kthyer në rigjykim, duke u evidentuar edhe në listën e rasteve të shënjestruara për liberalizimin e vizave.

Avokati Çekaj në shtator 2021 kishte kërkuar nga OAK anulimin e vendimit për ndërprerjen e profesionit.

Një kërkesë e tillë sipas statutit të OAK-ë lejohet vetëm në rastet kur në shkallë të parë avokati shpallet i pafajshëm, që nuk është rasti i Çekaj, i cili ishte shpallur fajtor.

Kërkesa e avokatit të akuzuar Haxhi Çekaj ishte aprovuar nga Këshilli Drejtues i OAK-së në mbledhjen e mbajtur 11 tetor 2021 dhe atij iu kishte dhënë e drejta që ta vazhdojë punën si avokat, pavarësisht aktakuzës ndaj tij.

Emisioni “Betimi për Drejtësi”, me 13 tetor 2021 ka kërkuar nga OAK që të informohet në lidhje me vendimet e marra nga Oda në rastin e avokatit Haxhi Çekaj, por ata nuk kanë kthyer përgjigje. Pas kësaj, “Betimi për Drejtësi” ishte  ankuar në Agjencinë për Informata dhe Privatësi, e cila kishte aprovuar ankesën, duke obliguar OAK që të ofrojë qasje në informatat e kërkuara.

Vetëm pas vërejtjes nga kjo agjenci,  OAK ka ofruar qasje në vendimin për ndërprerjen e profesionit të avokatisë ndaj avokatit Çekaj të vitit 2019.

Ndërsa, sa i përket vendimit për lejimin e ushtrimit të profesionit të avokatisë për të akuzuarin Çekaj të marrë nga Këshilli Drejtues në mbledhjen e 11 tetorit 2021, OAK nuk kishte ofruar qasje, por ka bërë një njoftim, i cili sipas gjetjeve të hulumtimit të emisionit “Betimi për Drejtësi” del se është mashtrim.

Në lidhje me këtë, OAK ka njoftuar se “për rastin e avokatit Haxhi Çekaj, duhet përsëritur faktin se kjo kërkesë është diskutuar në Këshillin Drejtues të OAK-së, por që ende nuk ekziston Vendim i materializuar/zyrtarizuar i Këshillit Drejtues për lejimin e avokatit Çekaj për ushtrimin e profesionit të avokatisë, që nënkupton se avokati aktualisht është i suspenduar”.

Ndryshe nga ky njoftim, hulumtuesit e “Betimit për Drejtësi”, kanë siguruar Procesverbalin e mbledhjes së Këshillit Drejtues të OAK-së të 11 tetorit 2021, ku figuron që Këshilli Drejtues ka marrë vendim për lejimin e profesionin të avokatisë për të akuzuarin Çekaj.

Përtej kësaj, hulumtuesit e emisionit “Betimi për Drejtësi”, kanë siguruar vendimin e 16 dhjetorit 2021, me të cilin të akuzuarit Çekaj i lejohet ushtrimi i profesionit të avokatisë.

Këshilli Drejtues i OAK-së përmes këtij vendimi e ka anuluar si të kundërligjshëm vendimin e 27 prillit 2019 me të cilin avokatit të akuzuar Haxhi Cekaj i ishte suspenduar ushtrimi i profesionit të avokatisë.

Këshilli Drejtues i OAK-së në arsyetimin e këtij vendimi thekson se neni 38 par.1 i Ligjit për Avokatinë është në kundërshtim me Kushtetutën.

“Edhe ashtu dispozita e nenit 38 par 1 është në kundërshtim me Kushtetutën dhe si i tilla duhet të ndryshohet (prezumimi i pafajësisë) dhe atë në shikim të parë (prima facies) por duket se ajo dispozitë qëndron për arsye jo ligjore, për të cilin është biseduar edhe në mbledhjen e KD që ka nevojë për revitalizim total”

Një fakt tjetër interesant në arsyetimin e vendimit të Këshillit Drejtues është edhe interpretimi i Ligjit të Punës në raport me profesionin e avokatisë.

Në nenin 2 të Ligjit të Punës përcaktohet qartë se “Dispozitat e këtij ligji zbatohen për të punësuarit dhe punëdhënësit e sektorit privat dhe publik në  Republikën e Kosovë”.

Ndërsa, Këshilli Drejtues i OAK-së, me mënyrën e arsyetimit të këtij vendimi, rezulton se OAK-në e konsideron si punëdhënës, kurse avokatët në marrëdhënie pune në Odën e Avokatëve.

“Sa i përket suspendimit, me nenin 75 të Ligjit për punë është paraparë qe suspendimi në Republikën e Kosovës të jetë gjerë në 6 muaj, nëse me ligj të veçantë nuk është paraparë ndryshe. Mirëpo me Ligjin për avokatinë nuk është paraparë asgjë dhe aplikimin direkt e ka Ligji i  Punës, gjersa neni 124 i Statutit të OAK-së nuk mund të gjejë vend për aplikim ngase ligjdhënësi në Ligjin e Punës nuk i ka dhënë këtë mundësi askujt që ta rregulloj me normativat e veta por vetëm me Ligj  të përgjithshëm apo atë të veçantë”, thuhet në arsyetimin e vendimit të OAK-së.

Gjithashtu, specifikë e këtij vendimi është edhe mënyra se si është dhënë Këshilla juridike, ku përcaktohet se “Kundër këtij vendimi lejohet ankesa brenda afatit prej 15 ditësh nga dita e dorëzimit, Komisionit për ankesa të OAK-së e nëpërmjet OAK-së. Ankesën mund ta parashtroi ekskluzivisht vetëm avokati Haxhi Çekaj meqenëse bëhet fjalë për procedurën administrative një palëshe. Ankesa nuk e ndalon ekzekutimin e  vendimit.”

Në këtë rast, mbetet e pakuptimtë se si pala tjetër, në këtë rast, prokurori disiplinor i OAK-së, ka mbetur pa të drejtë ankesë ndaj këtij vendimi.

Për më shumë, ndiqeni hulumtimin “Amnistia e OAK-së ndaj avokatëve me aktakuza”./BetimipërDrejtësi

Në trend Lajme

Më shumë
Zbulohen mbetjet mortore të shtatë viktimave të Masakrës së Kralanit në Kosovë

Zbulohen mbetjet mortore të shtatë viktimave të Masakrës së Kralanit në Kosovë

Lajme
Sekretari i NATO-s: Përparimi në dialogun Kosovë-Serbi kërkon fleksibilitet dhe vendime të vështira

Sekretari i NATO-s: Përparimi në dialogun Kosovë-Serbi kërkon fleksibilitet dhe vendime të vështira

Lajme
“Bjeshkët në këtë fotografi nuk i takojnë Serbisë” - Ambasada gjermane përballet me komentuesit serb për bjeshkët e Kosovës

“Bjeshkët në këtë fotografi nuk i takojnë Serbisë” - Ambasada gjermane përballet me komentuesit serb për bjeshkët e Kosovës

Lajme
Pas Osmanit, Rutte në takim me Kurtin

Pas Osmanit, Rutte në takim me Kurtin

Lajme
Rrahje masive te rrethi i Flamurit në Prishtinë – dy të lënduar dhe dy të arrestuar

Rrahje masive te rrethi i Flamurit në Prishtinë – dy të lënduar dhe dy të arrestuar

Kronika e Zezë
Rama tregon pse u mbulua monumenti i Skënderbeut në Tiranë

Rama tregon pse u mbulua monumenti i Skënderbeut në Tiranë

Lajme
Kalo në kategori