Një nxënës ka filmuar momentin kur profesori e përplas për tokë një nxënës 14-vjeç dhe e godet pa ndërprerë me grushta – e gjitha ndodhi pasi nxënësi e kishte gjuajtur me bankë mësimdhënësin.
Megjithatë prindërit kanë reaguar ashpër me dhunën e shfaqur në videon e publikuar në internet, dhe që raportohet të ketë ndodhur në shkollën e mesme Charles Drew në Georgia, SHBA, transmeton Telegrafi.
Videoja është shpërndarë nga prindërit në Instagram, ku shihet se si adoleshenti përleshet me profesorin brenda klasës së mbushur me plotë nxënës tjerë.
Fillimisht shfaqet nxënësi i cili e kapë bankën dhe e hedh në drejtim të profesorit, i cili më pas reagon edhe më ashpër duke e përplasur adoleshentin në dysheme dhe duke e grushtuar pandërprerë.
Sipas gjyshes së adoleshentit Yuquanda Lucas, profesori që gjithashtu është trajneri futboll në këtë shkollë, kishte filluar incidentin pasi ishte tallur me nxënësin për kapelën që e kishte vënë në kokë. Megjithatë ky veprim e kishte nervozuar shumë adoleshentin, pasi kapelën që e kishte i takonte të ëmës së tij që së fundmi ka ndërruar jetë.
Drejtori i shkollës ka konfirmuar se kanë filluar hetimet për incidentin e ndodhur brenda ambientit të shkollës, por ka refuzuar të komentojë nëse do të ndërmerren masa kundër profesorit. /Telegrafi/