Trajneri i Fenerbahçes, Jose Mourinho, ka shprehur bindjen e tij se Zlatan Ibrahimovic duhej të ishte shpërblyer të paktën një herë me çmimin prestigjioz “Topi i Artë” gjatë karrierës së tij madhështore.

Tekniku portugez, i cili ka pasur fatin të punojë nga afër me sulmuesin suedez si te Interi, ku së bashku fituan trofe të rëndësishëm, ashtu edhe te Manchester United, theksoi se arritjet e Ibrahimovicit flasin vetë dhe se mungesa e këtij çmimi në sirtarin e tij është e pakuptueshme.


“Nuk mund ta besoj që Zlatan Ibrahimovic nuk e fitoi kurrë Topin e Artë”, deklaroi Mourinho, duke e cilësuar ish-lojtarin e tij si një prej futbollistëve më dominues të epokës moderne.

Ibrahimovic, i njohur për golat spektakolarë, teknikën e jashtëzakonshme dhe personalitetin karizmatik, ka lënë gjurmë në çdo klub ku ka luajtur – nga Ajax, Juventus, Inter, Barcelona, Milan, PSG, Manchester United, e deri te LA Galaxy.

Ai ka fituar kampionate në disa prej ligave më të forta të Evropës dhe ka shënuar mbi 500 gola në karrierën e tij profesionale.

Megjithatë, pavarësisht këtij suksesi të jashtëzakonshëm, Topi i Artë ka mbetur një ëndërr e parealizuar për suedezin, diçka që, sipas Mourinhos, nuk përkon me ndikimin dhe madhështinë që ka pasur në futbollin botëror. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app