Ka përfunduar me rezultat të barabartë 1-1 pas 90 minutave ndeshja mes Prishtinës dhe Larnes, e vlefshme për kualifikime për në fazën e ligës së Ligës së Konferencës. 

Kryeqytetasit që nga minuta e parë patën një iniciativë të lehtë në këtë takim, duke tentuar të gjejnë rrugën deri tek goli.  


Atë e gjetën në minutën e 10-të me anë të Gjelbrim Taipit i cili realizoi për 1-0 pas asistimit të Hamdi Namanit.  

Të besuarit e Arsim Thaçit ia dolën që ta menaxhojnë mirë epërsinë e krijuar, duke mos i lejuar kundërshtarëve hapësira për të rrezikuar.  

Në vazhdim Prishtina pati edhe dy mundësi ideale për ta gjetur golin e dytë, fillimisht me Leotrim Kryeziun i cili dështoi përballë portierit, pastaj me Ardian Mujën i cili goditi shtyllën direkt nga rivënia këndore. 

Mysafirët ia dolën që në pjesën e dytë të barazojnë shifrat në minutën e 56-të përmes Dan Bent i cili realizoi për 1-1 pas një tollovie brenda zonës. 

Prishtina në vazhdim me disa ndryshime në përbërje u mundua ta rikthejë sërish epërsinë në favorin e saj, por pa sukses. 

Tani mbetet të shihet se a do të mjaftojnë 30 minuta për Prishtinën që ta sigurojë kalimin tutje, apo do të duhet ekzekutimi i penalltive./Telegrafi/

telegrafi sport app