"NKL Limited", zyrtarisht blen Feronikelin

Një kompani e panjohur me emrin, “NKL Limited” është blerësi zyrtarë i Ndërmarrjes Shoqërore “Feronikeli”, nga kompania “Cunico Resource”.
Kompania “NKL Limited” e cila është me bazë në Londër, që do të ketë në pronësi “Feronikelin” dëshmohet edhe në vendimin e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, ku më 22 qershor të këtij viti është marr vendim që Fernoikeli të jetë nën drejtimin e kësaj kompanie, ku pjesë e saj është biznesmeni nga Shqipëria Samir Mane.
“Përqendrimi përmes përfitimit 100% të kontrollit nga “NKL Limited”, në cilësinë e blerësit mbi “NewCo Ferronikeli Complex LLC-Cunico”, në cilësinë e shitësit. II. Parashtruesi i Njoftimit për Përqendrim obligohet të paguaj taksën administrative për Autorizimin lidhur me Realizimin e Përqendrimit në përputhje me Nenin 20 të Ligjit Për Mbrojtjen e Konkurrencës, dhe neni 20 të Udhëzimi Administrativ Nr.06/2012, bëhet kundrejt pagesës në vlerë prej 3,000.00 € me shkronja ( tre mijë euro )”, thuhet në vendimin e AKK.
Bazuar në raportin e Klan Kosovës, dyshohet se biznesmeni Mane është i përfshirë në prapaskenë për blerjen e Feronikelit. “Balfin Group” është kompani në pronësi të Manes dhe sipas raportimit është në fazen finale me kompanin “Cunicio Resoure”.
Mane dhe kompania e tij “Balfin Group” ende nuk janë deklaruar zyrtarisht se si janë përfshirë në këtë transaksion multi milionësh.
Telegrafi gjatë ditës ka shkruar lidhur me biznesmenin nga Shqiperia, Samir Mane.
51 vjeçari është miliarderi i parë Shqiptar. Ai është president dhe pronar i grupit BALFIN, i cili është grupi më i madh i investimeve private në Shqipëri dhe në Evropën Juglindore.
Ndërkaq, Fabrika e Feronikelit është përballur me krizë ekonomike edhe në vitin 2017.
Prodhimi u ndal me 13 mars pasi rreth 820 punëtorë dhe 250 kontraktorë ndërprenë punën si shkak i mospagesës nga ana e Menaxhmentit të kësaj fabrike.
Për ndaljen e prodhimit, Menaxhmenti u deklarua se fabrika është duke u përballur me disa vështirësi teknologjike.
Telegrafi mëson se që nga muaji qershor punëtorët e kësaj fabrike nuk i kanë marrë pagat.
Ata thonë se ndjehen shumë të shqetësuar me të ardhmen e tyre, pasi siç thonë ata, shumë punëtorë tanimë kanë kredi nëpër banka në Kosovë dhe ndalja e punës në këtë fabrikë, po iu krijon probleme financiare.







































