LAJMI I FUNDIT:

NJERËZ

NJERËZ

Poezi nga: Ayten Mutlu
Përktheu: Elona Caslli

Midis tokës dhe qiellit
shtëpi vocërrake,
dhoma mërmëritëse,
dritare gjysmë të hapura,
enë, karrige, një tavolinë e mërzitshme,
shprehi të vogla ,
shije të sfilitura,
një grusht pluhur, një hije e pasdites
dhe koha që ulet krenare
mu në cep të dhomës.

Mes mureve që kaq mirë i njohim,
kaq shumë plaçka, kaq shumë ankth,
kaq pak dashuri.
Pak kripë marrë nga deti,
Një ndjesi e përgjumur nga dielli,
një puthje,
një buzëqeshje,
përshpëritje,
avulli mbi lulet e vazos,
dhe aroma e vdekjes
që depërton
tek çasti që nxiton.


Mes tokës dhe qiellit
një bashkësi shpirtrash,
një filxhan zemërimi,
pikëllim i thellë,
britma, lutje, heshtje e thellë
dhe kjo etje për jetën
që vazhdon të rrjedhë
e të rrjedhë
e të përplaset me venat e shtëpive vocërrake.