Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përkushtuara për të mbështetur investimet e sektorit privat dhe zhvillimin ekonomik në Kosovë dhe rajon, thuhet në përgjigjen e Korporatës amerikane për Financa dhe Zhvillim Ndërkombëtar (DFC).
Sipas DFC-së, Ballkani është i rëndësishëm si një formë garantuese për financimin e projekteve.
“DFC vazhdon të punojë me qeveritë për të promovuar vlerat ekonomike në rajon”, thuhet në përgjigjen e DFC-së për Zërin e Amerikës, përcjell Telegrafi.
DFC është një agjenci e pavarur e Qeverisë amerikane e themeluar në dhjetor të 2019-së, duke bashkuar Korporatën e Investimeve Private (DCA), e cila ishte pjesë e Agjencisë Amerikane për Zhvillim (USAID).
Investimet nga DFC ishin paraparë të ndodhin pas nënshkrimit të Marrëveshjes për normalizim ekonomik, e njohur si Marrëveshja e Washingtonit.
Marrëveshja që përmban 16 pika, ishte nënshkruar më 4 shtator në Shtëpi të Bardhë në prani të ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
Jo më shumë se tre javë pas takimit në Shtëpi të Bardhë, Kosova kishte nënshkruar dokumentin me DFC-në që parasheh ofrimin e qasjes në një gamë të gjerë për investime.
Po ashtu, në këtë dokument tregohet se, të dyja shtetet pritet t’i identifikojnë projektet që fuqizojnë më tej integrimin ekonomik dhe zhvillimin në rajon.
Më 31 dhjetor 2020, ish-kryeministri Avdullah Hoti dhe ambasadori Philip Kosnett kishin nënshkruar Marrëveshjen për Nxitjen e Investimeve (IIA) që ia mundëson DFC-së për të sjellë gamën e prodhimeve financiare në Kosovë, ku përfshihet financimi i borxhit, investimeve në ekuitet, sigurimi i riskut politik dhe grantet për ndihmë teknike. /Telegrafi/