LAJMI I FUNDIT:

Një vështrim ndryshe për Hitlerin

Një vështrim ndryshe për Hitlerin

Libra për Adolf Hitlerin ka sa të duash. Sidomos vitet e fundit janë botuar shumë biografi të tij nga historianë të njohur. Tani një historian tjetër ka hulumtuar tjera mbi këtë temë. Është ky irlandezi Brendan Simms, profesor i Historisë së Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Kembrixhit. Libri i tij, me më shumë se 1000 faqe, u botua në vjeshtë në anglisht. Tash vonë u përkthye në gjermanisht.

Një biografi e re për Hitlerin është përherë ngjarje në Gjermani. Që një javë para botimit, e përjavshmja “Der Spiegel” publikoi një intervistë me Simmsin, në të cilën ai konfirmoi tezën e tij kryesore. Ai thotë se forca që e ka motivuar Hitlerin, si në politikën e brendshme ashtu edhe në atë të jashtme, ka lindur prej një ndjenje urrejtjeje dhe dashurie ndaj anglo-amerikanëve. Impulsi i tij për luftë dhe shkatërrime nuk ka qenë frika prej bolshevizmit dhe Bashkimit Sovjetik, por matja e forcës me Britaninë e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara.
Raporti i Hitlerit ndaj Anglo-Amerikës është karakterizuar nga zilia dhe adhurimi

Te Hitleri kanë qenë vendimtare përvojat e viteve 1914-1918: “Admirimi dhe respekti rridhnin nga përvojat e tij në Luftën e Parë Botërore. Hitleri fliste vazhdimisht për këmbënguljen e britanikëve, siç i kishte përjetuar ai ata në front”! Madje, mendon autori, as antisemitizmi nuk ka lindur nga urrejtja e thellë ndaj hebrenjve, por nga konkurrenca me “kapitalizmin botëror” me qendër në Amerikë. Sepse, atje hebrenjtë ndodheshin në levat e pushtetit.


Shumë biografi të Hitlerit vitet e fundit kanë paraqitur këndvështrime të tjera. Si biografi standarde vazhdon të konsiderohet vepra me dy vëllime e britanikut Ian Kershaw, në të cilin historiani vë në qendër kryesisht bashkërendimin mes Hitlerit e popullit gjerman. Teza e Kershawit ishte se Hitleri ka mundur të veprojë ashtu, sepse gjermanët “punonin për të” dhe se ia kishin përgatitur vetë truallin për ideologjinë nacionalsocialiste.

Para dhe pas Ian Kershawit, biografë të ndryshëm nga brenda dhe jashtë vendit shtruan mendimet e tyre. Që në vitin 1973, publicisti gjerman Joachim Fest e trajtoi temën e Hitlerit duke i kushtuar një libër me peshë që është konsideruar për vite me radhë si vepra standarde. Pas botimit, libri u bë bestseller. Më vonë Festit iu gjetën gabime të rënda në hulumtim, edhe për shkak se ishte mbështetur tek dëshmitë e Albert Speerit, ish-ministrit të Armatimit të Hitlerit. Holokaustin Festi e kishte tematizuar vetëm shkarazi.

Vitin e kaluar, gazetari dhe historiani Sven Felix Kellerhof, megjithatë e renditi librin e Festit në mesin e “shtatë biografive më të rëndësishme të Hitlerit”: “Disa libra mund të bëhen libra klasikë. Kjo ndodh kur, edhe pse të vjetëruar, ato ia vlen t’i lexosh”, tha Kellerhof. Libri Festit është vlerësuar nga të gjitha anët për cilësinë e shkëlqyer letrare.

Si duhet interpretuar Hitleri dhe politika e tij, për këtë kanë debatuar për një kohë të gjatë dy grupe historianësh. Të ashtuquajturit “internationalistë” e shihnin Hitlerin si një udhëheqës të vendosur e të fortë, mendimi dhe ideologjia e të cilit përcaktuan atë që ndodhi mes viteve 1933 dhe 1945. Këtyre u kundërvihen të ashtuquajturit “strukturalistë”, të cilët shikonin më shumë bashkëveprimin dhe rivalitetin e grupeve konkurruese brenda sistemit nacionalsocialist dhe më pak peshën politike të Hitlerit.

Lidhur me faktin se si ka mundur të funksionojë nacionalsocializmi nën Hitlerin, ka patur interpretime të ndryshme kontroverse. Disa shkencëtarë shtrojnë pyetjen nëse ka qenë Hitleri në gjendje për të menduar dhe vepruar si një politikan racional? Edhe për gjendjen mentale të Hitlerit ka patur botime të shumta.

Tani vjen libri i Brendan Simmsit, “Hitleri, një biografi globale”. Pas botimit të librit në vendet anglishtfolëse, reagimet ishin të ndryshme. “The Guardian” kritikoi ashpër përqendrimin te teza kryesore që Hitleri ka vepruar vetëm për shkak të fiksimit tek Britania dhe Madhe dhe ShBA-të. Në platformën e internetit “History News Network”, një historian kritikoi faktin se irlandezi niset nga supozimi, se Hitleri ka qenë “në gjendje normale mendore” dhe e paraqet atë si njëri “racional”: “Simms e pranon atë (Hitlerin) si person, që inspirohet nga një ideologji me pikëpamje krejtësisht të qarta intelektuale dhe jo si një sociopat thellësisht të pasigurt dhe narcis”.

Konservatorja “National Review” ishte më e zbutur duke vlerësuar se Simmsi shkon shumë larg me perspektivën amerikane të Hitlerit, por që libri me gjithë mangësitë meriton të lexohet edhe pse më shumë si kontribut për diskutime, sesa si interpretim përfundimtar i figurës së Adolf Hitlerit. Nuk është, si pranon edhe vetë Simms, “i gjithë Hitleri”.

Dhe, në fakt Brendan Simms shkruan në fillim se “ky libër (…) në shumë gjëra nuk mund të matet me paraardhësit”. Ai “padyshim që nuk është libri i parë i rëndësishëm me këtë subjekt, por as i fundit”. Kjo tingëllon modeste. Por, pak më vonë autori shkruan me vetëbesim duke përdorur për vetveten veten e tretë: “Nëse tezat e tij rezultojnë me bazë, biografia e Hitlerit dhe ndoshta historia e Rajhut të Tretë duhen rimenduar thellësisht”.

Përveç fiksimit te politika, shoqëria dhe kultura e anglosaksonëve, ku gati si në mulli Simmsi i rikthehet vazhdimisht Hitlerit dhe mendimit të tij për britanikët dhe amerikanët, bien në sy edhe thekse të tjera të interpretimit të historisë. Këtu thuhet se Franca, por edhe Bashkimi Sovjetik, luanin te Hitleri një rol të dorës së dytë – për faktin se gjermani nuk i shihte këto kombe si konkurrencë – dhe në rastin e Bashkimit Sovjetik as si rrezik.

Një tjetër teori e Simmsit: Hitleri kishte një vizion shumë negativ për popullin e tij – edhe pas vitit 1933: “Popullin gjerman në përbërjen e tij nuk e vlerësonte shumë. Ai ishte i vetëdijshëm për varfërinë dhe injorancën e tij”, shkruan historiani. Që dy vjet para shpërthimit të luftës, Hitleri e kishte pranuar humbjen në luftën konkurruese me Anglo-Amerikën për standardin e jetesës së kombeve: “Në maj 1937 Hitleri në thelb pranoi humbjen”. Hitleri antisemit ishte mbi të gjitha për shkak të aversionit të tij të thellë ndaj fuqisë botërore kapitaliste ShBA-së: “Me të vërtetë ai u bë antisemit kryesisisht nga urrejtja kundër fuqive kapitaliste anglo-amerikane.”

Marrëdhënia e Hitlerit me zonën anglo-amerikane ishte plot me kontradikta: “Një subjekt kryesor i interesit të tij ishin Shtetet e Bashkuara, të cilat ai, ndoshta edhe më tepër se Perandorinë Britanike, nisi t’i konsiderojë si shtet model”. Kjo kishte kryesisht të bënte me pikëpamjen e Hitlerit për gjoja avantazhet gjeografike të amerikanëve. Përveç kësaj, edhe sepse ky vend, sipas tij, është një komb që ia detyron ekzistencën e tij gjermanëve të emigruar. Amerikanët kishin pushtuar “hapësirën e jetesës” në perëndim të kontinentit; kjo është arsyeja pse, sipas Simmsit, Hitleri synonte “hapësirën e re të jetesës” për gjermanët në lindje të Evropës.

Hitleri ka patur për kohë të gjatë ndërmend “vetëm” krijimin e një superfuqie gjermane në Evropë. Më shumë nuk ka kërkuar. Ai dëshironte një kundërpeshë ndaj fuqisë botërore, ShBA-së: “Qëllimi i Hitlerit nuk ishte zotërimi i botës, por mbijetesa kombëtare”.

Konkluzioni i Simmsit është: “E gjithë strategjia e Hitlerit në fund të fundit ka qenë të përdorte rrezikun e bolshevizmit për të krijuar politikisht ndikim në Gjermani, Evropë dhe mbi të gjitha në Anglo-Amerikë”. Kjo është një tezë e guximshme. Që duhet të preokupojë menjëherë historianët. Jo vetëm në Gjermani. /DW/