Teatri i Qytetit të Gjilanit po e përmbyll muajin prill me një repertor të larmishëm shfaqjesh që premtojnë të sjellin emocione të fuqishme për publikun.

Më 21 prill, në skenë u ngjit shfaqja “Jam Unë Ajo”, një vepër që pasqyron realitetin e nënave – një realitet që shpesh mbetet i pathënë.


Kjo shfaqje trajton një temë të ndjeshme sociale, duke shpalosur historinë e dy grave që përballen me sfidat e depresionit pas lindjes.

“Përmes personazheve Dija dhe Vesa, shfaqja ndriçon përvojat e dhimbshme të grave që mbartin barrën e padukshme të fajit dhe paaftësisë. Edhe pse të ndara nga rrethana të ndryshme, ato ndajnë një betejë të përbashkët, duke sfiduar pritshmëritë dhe normat e një shoqërie që shpesh i mohon të drejtën për të qenë të brishta. Ky rrëfim guximtar thekson një plagë të thellë sociale, duke sfiduar tabutë dhe duke ngritur ndërgjegjësimin për çështje që zakonisht mbahen të heshtura”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, më 24 dhe 25 prill, në skenën e teatrit do të prezantohet shfaqja “Togeri nga Inishmori”, një dramë nga Martin McDonagh.

Në këtë shfaqje, publiku do të ndjekë një histori që zhvillohet në një ishull të izoluar, ku dhuna, dashuria dhe humori i zi përzihen në mënyrë të papritur.

Ndërsa më 29 prill, teatri sjell shfaqjen a.y.l.a.n, një vepër e autorit Jeton Neziraj me regji të Blerta Nezirajt. Kjo shfaqje ka fituar çmimin ndërkombëtar kryesor të jurisë “Grand Prix” në Poloni në vitin 2022.

Ndryshe, kjo vepër konsiderohet si një nga shfaqjet më të suksesshme të Teatrit të Gjilanit. /Telegrafi/