Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për të emërtuar rrugën rajonale R-217, segmenti Ballaban – Banjskë, me emrin e heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku.
Ky vendim vjen në përvjetorin e parë të sulmit terrorist në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
“Kjo është një shenjë e nderimit për sakrificën e rreshterit Afrim Bunjaku dhe përkujtimi i tij do të jetë gjithmonë i gjallë përmes këtij emërtimi”.
Vendimi për emërtimin e rrugës u mor gjatë një mbledhjeje elektronike të Qeverisë, ku u diskutuan dhe u miratuan një sërë vendimesh të tjera.
Gëzim Paci u emërua si kryesues i bordit të Postës së Kosovës, ndërsa Genc Metaj u emërua drejtor ekzekutiv në Agjencinë për Menaxhim të Emergjencave.
Në këtë mbledhje, Qeveria ndau gjithashtu një fond prej 219 mijë eurosh për organizimin e Forumit Ekonomik në Paris, me fokus në promovimin e teknologjisë së informacionit dhe tërheqjen e investimeve.
Ndër të tjera, u miratuan disa rregullore të reja për vlerësimin e rezultateve në punë, si dhe për procedurat e konkurrimit dhe përfundimin e marrëdhënieve të punës në shërbimin civil./Telegrafi/