Një japonez i cili u dënua gabimisht për vrasje të katërfishtë dhe kaloi 46 vjet në burg, do të marrë 1.4 milionë dollarë si kompensim.
Bëhet e ditur se kompensimi arrin në rreth 83 dollarë në ditë për çdo ditë që Iwao Hakamada kaloi në burg.
Hakamada u dënua me vdekje në vitin 1968 për vrasjen e shefit të tij, gruas dhe dy fëmijëve të tyre në vitin 1966.
Ish-boksieri, tani 89 vjeç, u lirua në vitin 2024 pasi motra e tij, së bashku me të tjerë, bënë fushatë për lirimin e tij për dekada.
Gjykata e Qarkut Shizuoka, në një vendim të lëshuar të hënën, vendosi se ai kishte të drejtën e kompensimit, shkruan the Guardian, përcjell Telegrafi.
E njëjta gjykatë, në një rigjykim në shtator, vendosi se Hakamada nuk ishte fajtor dhe se policia kishte manipuluar provat.
Gjykata më pas deklaroi se Hakamada iu nënshtrua “marrjeve çnjerëzore në pyetje me qëllim të detyrimit të një rrëfimi”, të cilin ai e tërhoqi më vonë.
Raportohet se kjo është një shumë rekord kompensimi i këtij lloji në Japoni.
Megjithatë, ekipi i tij ligjor thotë se paratë nuk mund ta kompensojnë dëmin që ka pësuar.
“Vitet e kaluara në paraburgim, me kërcënimin e vazhdueshëm të ekzekutimit, kanë dëmtuar rëndë shëndetin mendor të Hakamadas”, thanë avokatët e tij, duke e përshkruar atë si dikë që “jeton në një botë fantazie”.
Ndryshe, Hakamada ishte i burgosuri i pestë i dënuar me vdekje që iu dha një rigjykim në historinë e pasluftës të Japonisë.
Të katër rastet e mëparshme gjithashtu përfunduan me pafajësi. /Telegrafi/