Site icon Telegrafi

Nissan dhe punëtorët meksikanë bien dakord për një rritje rroge prej 9 për qind

Përfaqësuesit e punëtorëve në një fabrikë të Nissan Motor në shtetin meksikan të Morelos kanë arritur një marrëveshje me prodhuesin japonez të makinave për të rritur pagën për 9 për qind që nga muaji prill, tha sindikata.

Marrëveshja e Nissan, për të cilën sindikata tha se shumica e punëtorëve e miratuan në fund të muajit shkurt, është në përputhje me rritjet e tjera të kohëve të fundit në prodhuesit e veturave në Meksikë, ndërsa inflacioni zvogëlon fuqinë blerëse.

Leobardo Herrera, kreu i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të Nissan Mexico, tha se sindikata synonte të rriste pagat përtej inflacionit – i cili në fillim të shkurtit kapi shifrën prej 7.76 për qind – dhe ja doli që të arrijë një marrëveshje të shpejtë me kompaninë, raporton Reuters, përcjell Telegrafi.

“Ne jemi të interesuar në ruajtjen e stabilitetit të punës,” tha ai. Pagat e reja do të jenë në fuqi për një vit përpara se sindikata dhe kompania të ri-negociojnë, tha Herrera.

Nissan Mexicana, siç njihet njësia e kompanisë në Meksikë, tha se ka negociuar me sindikatat në shkurt dhe është e angazhuar për të siguruar të drejtat e punës për rreth 1,500 punëtorë – të cilët janë anëtarë të sindikatës – në fabrikën e saj në Morelos, e cila prodhon kamionçinën NP300.

Prodhuesi i automjeteve prodhon modele të tjera në fabrikat në shtetin Aguascalientes disa qindra kilometra në veriperëndim të Morelos, punëtorë të cilët përfaqësohen nga një sindikatë tjetër.

Në marrëveshjet e tjera të pagave vitin e kaluar, paga për punëtorët e anëtarësuar në sindikata u rrit me 9.4 për qind në Audi, 9 për qind në Volkswagen dhe 8.5 për qind në General Motors. /Telegrafi/

Exit mobile version