Zv. kryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski tha sot në Shtip se mbrëmë kryeministri Hristian Mickoski pati një takim shumë domethënës me presidentin francez Emmanuel Macron në samitin e Bashkësisë Politike Evropiane në Budapest.
Siç theksoi Nikolloski, Macron tani praktikisht bëhet lider i Evropës, duke marrë parasysh jostabilitetin politik në Gjermani dhe faktin se zgjedhjet priten më së voni deri në mars të vitit 2025.
“Macron është aktualisht lideri i padiskutueshëm i Evropës, një politikan që ka mbështetjen më të lartë dhe mandatin më të qëndrueshëm brenda BE-së nga të gjitha vendet kryesore anëtare, dhe në një konferencë që zgjat vetëm një ditë, për të marrë kaq shumë kohë për t’u takuar me Kryeministrin e Maqedonisë, mendoj se kjo tregon shumë për autoritetin personal që ka kryeministri Mickoski dhe për reputacionin që gëzon Maqedonia”, vlerësoi Nikolloski.
Ai tha se nuk ka informacione nëse në samitin në Budapest ka pasur takim të kryeministrit Mickoski me presidentin bullgar Rumen Radev./Telegrafi/