Nga një futbollist i zakonshëm në gjyqtar ndërkombëtar – Bekim Zogaj, mysafir në “Arena e Yjeve

Në episodin më të ri të podcastit “Arena e Yjeve”, prodhim i Telegrafit, mysafir është Bekim Zogaj – ish-gjyqtari i njohur ndërkombëtar, i cili për herë të parë ndan rrëfimin e tij të plotë: nga një futbollist i zakonshëm pa shumë perspektivë, në një nga emrat më të respektuar të gjykimit në rajon. Ky episod realizohet me mbështetjen e sponsorëve zyrtarë Golden Eagle dhe Air Munich.
Në një rrëfim të sinqertë dhe të mbushur me emocione, Zogaj ndalet te fillimet e tij në futboll dhe vendimi për të kaluar nga lojtari te roli i gjyqtarit, pas një përvoje që ai vetë e quan “e rëndomtë” në fushë.
Me përkushtim dhe punë të palodhur për 14 vite, ai arriti të debutojë në Superligë, duke dëshmuar se rruga drejt suksesit nuk është gjithmonë e shpejtë, por gjithmonë ia vlen.
Një nga momentet më të veçanta të episodit është rrëfimi për përplasjen me kapitenin e Zvicrës, Granit Xhaka, gjatë një ndeshjeje ndërkombëtare. “Bekim, hapi sytë!” – fraza që bëri xhiron e mediave, merr një kuptim të ri përmes shpjegimit të Zogajt, i cili tregon si ndodhi gjithçka në të vërtetë.
Zogaj flet edhe për tërheqjen nga gjykimi në kulmin e karrierësm një vendim që erdhi pas reflektimesh të gjata dhe ndjenjës se kishte dhënë gjithçka në këtë profesion.
Ai ndan emocionet e asaj periudhe dhe sfidat që e shtynë drejt këtij vendimi të madh. Në fund, një pyetje intriguese: Çfarë ka më shumë peshë për një gjyqtar – Kampionati Evropian apo Liga e Kampionëve?
Përgjigjja e tij është një reflektim i sinqertë mbi përvojat më të mëdha të një karriere të ndërtuar me mund dhe integritet.
Episodin e plotë me Bekim Zogajn mund ta ndiqni të shtunën në ora 17:10 në RTV Dukagjini, si dhe në kanalin zyrtar në YouTube të Telegrafit. /Telegrafi/


















































