Kur trajneri dhe klubi të beson, majat bëhen më të lehta për t’u arritur. Kjo është historia e Ernest Muçit, i cili pas largimit nga Besiktas, ku nuk u përfill nga trajneri i ri Sergen Yalçin, tani po shkëlqen te Trabzonspor dhe po bëhet një nga figurat më të ndritura të Superligës turke.

Transferimi te Trabzonspor erdhi me kërkesë të trajnerit Fatih Tekke, i cili i dha besim të plotë dhe liri për të shprehur potencialin e tij. Në një mbledhje të ekipit, Tekke i tha me një tone të thjeshtë, por vendimtare: "Muçi, ndjehu i lirë kur kemi topin".


Ky besim është reflektuar në paraqitjet e tij të fundit, të cilat kanë qenë vendimtare për suksesin e ekipit.


Në tri ndeshjet e fundit, Muçi ka dhuruar spektakël dhe ka ndikuar drejtpërdrejt në rezultatet e Trabzonspor: Në sfidën ndaj Başakşehir, ai hyri si zëvendësues në minutën e 63-të dhe shënoi 2 gola, përfshirë golin vendimtar të fitores në minutën e 90+11, duke i dhënë ekipit një fitore dramatike 3-2.


Në ndeshjen ndaj Konyaspor, Muçi ishte përsëri vendimtar: fitoi një penallti dhe realizoi një goditje dënimi, duke ndihmuar ekipin të triumfonte 3-1.

Ndërsa në sfidën më të fundit kundër Göztepe, ai shënoi të dy golat e ekipit për të siguruar fitoren 2-1. Këto paraqitje i kanë dhënë Muçit serinë më të gjatë të golave në karrierën e tij në Turqi, duke dëshmuar se talenti i tij është tashmë i konsoliduar dhe i pashmangshëm.


Për këtë performancë të jashtëzakonshme dhe ndikimin e tij të drejtpërdrejtë, renditja e tabelës ka ndryshuar ndjeshëm. Pas fitoreve të Trabzonspor dhe barazimit të Fenerbahçes ndaj Istanbul Başakşehir, Trabzonspor tani ndodhet i dyti, vetëm dy pikë pas kampionit aktual, Galatasaray, duke treguar se ky ekip po lufton fuqishëm për titullin.


Ernest Muci është shembulli më i mirë se si besimi i trajnerit dhe mundësia për të shprehur aftësitë mund të kthejnë karrierën e një futbollisti. Ai është sot një yll i Superligës turke dhe një nga lojtarët më të rrezikshëm për çdo ekip kundërshtar. /Telegrafi/

Standings provided by Sofascore
telegrafi sport app