Nga bashkëpunimet me Unikkatilin "Gishtin e tretë" dhe "Tu Kacafyt me Jet" deri te "What If" me Cyanide - në kujtim të B52, yllit të pashuar në qiellin e hip hopit shqiptar!

B52 ishte një prej reperëve më të dashur për adhuruesit e hip hopit shqiptar.
Reperi i cili besohet të ketë ndërruar jetë në SHBA pas një ataku kardiak, ka lënë gjurmë të mëdha pas vetes.
Ai ishte një prej kontribuesve të zellshëm të hip hopit shqiptar, duke qenë anëtar i grupit TBA që udhëhiqej nga Unikkatili.
Gjatë karrierës së tij, B52 njihej për tekstet e tij të forta me tematikë kryesisht sociale dhe ofensive në drejtim të rivalëve të TBA.
Disa prej këngëve të tij të mëdha janë me legjendën Unikkatil.
Dy prej këngëve më të njohura janë "Gishtin e Tretë" dhe "Tu Kacafyt me Jet".
"Gishtin e Tretë" që këndohet në refren nga Unikkatili është bashkëpunim ku autor ishte vet B52 e mysafir ishin Rebeli bashkë me Tee dhe Klepton.
Një prej hiteve të mëdha ishte pa dyshim edhe "Tu Kacafyt me Jet" në kuadër të albumit "Armiqt Suprem" të publikuar nga vet Unikkatili.
Në këtë projekt performojnë edhe NAG, Cyanide, dhe B52. Pra, ky i fundit, ishte një emër shumë i madh në kuadër të TBA, i respektuar dhe pjesë e një numri të madh të bashkëpunimeve të Unikkatilit që u bënë hite ndër adhuruesit e hip hopit.
Epoka pas projekteve me Unikkatilin, B52 e sheh me këngët e Cyanide, pasi ky i fundit doli nga 'labeli' TBA për shkak të mospajtimeve me Unikkatilin. Edhe pse Cyanide ishte jashtë 'labelit', B52 si mik i afërt i tij nuk e kishte problem të jetë pjesë e bashkëpunimeve me Cyanide, që konsiderohet një prej tekstshkruesve më të talentuar të skenës.
Bashkëpunimet e tyre me Unikkatilin ata i bartën me sukses edhe në rrafshin individual së pari me këngën "New York City" në kuadër të albumit të Cyanide.
Por, kënga e tyre më e dëgjuar mbetet "What If", një këngë mbi realitetin social shqiptar, me dromca nga jeta personale.
Këto nuk janë këngët e vetme të B52, janë edhe dhjetëra të tjera shumë të dëgjuara dhe të pëlqyera ku janë të përfshirë edhe reperët tjerë të dashur si Klepto e Presioni, Jetoni TBA si pjesë e "Originallave" etj.
B52 vdiq në rrethana misterioze pas një periudhe të vështirë në aspektin personal dhe muzikor, me miqt e tij që tashmë nuk i besuan lajmit të trishtueshëm, duke shprehur ngushëllime për shokun e tyre të shumë bashëkpunimeve.
B52 pa dyshim se ka merita shumë të mëdha për skenën e hip hopit se ku ka arritur sot, duke vënë baza të fuqishme në zhvillimin e këtij zhanri muzikor pas vitit 2000 dhe do të kujtohet si një prej legjendave, një yll që kurrë nuk do të shuhet në qiellin e hip hopit shqiptar. /Telegrafi/































































