LAJMI I FUNDIT:

Nëse Joe Bideni bën gjënë e duhur, këtë fundjavë mbaron fati i mirë i Donald Trumpit

Nëse Joe Bideni bën gjënë e duhur, këtë fundjavë mbaron fati i mirë i Donald Trumpit
Jonathan Freedland

Burimi: The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Mund ta kuptoni se pse ata mendojnë se ai është i mirosuri i Perëndisë. Mund ta kuptoni se pse republikanët brohoritnin kur Donald Trumpi vazhdimisht pretendonte se hyjnorja është mbështetja e tij numër një, duke deklaruar i sigurt se Zotin ai e kishte në anën e vet. Për besimtarët e mbledhur në kongresin kombëtar republikan në Miluoki, të enjten mbrëma, asnjëra nga këto nuk do tingëllonte si ekzagjerim – dhe kjo jo vetëm sepse kandidati i tyre për presidencën amerikane i kishte mbijetuar plumbit të një vrasësi. Por, gjithashtu për shkakun se Trumpi ka pasur fat jashtëzakonisht të mirë – gjë që shumë shpejt mund të marrë fund.

Natyrisht, ishte fërkimi me vdekjen në një tubim në Pensilvani në fundjavën e kaluar, të cilin ish-presidenti dhe pretendenti për president të ardhshëm e kishte në mendje kur foli për “momentin e providencës”. Të shtënat dhe aftësia e Trumpit për të shmangur lëndimin, duke ngritur grushtin në sfidën e tij me përgjakjen, i ka shtyrë besimtarët e tij më të zjarrtë që ta paraqesin atë si martir të gjallë të kauzës së tyre. Partia Republikane tashmë është shndërruar në një kult personaliteti. Por, të shohësh delegatët duke mbajtur fasha në veshët e tyre të djathtë në shenjë dashurie dhe identifikimi me udhëheqësin e tyre, kjo do të thotë të kuptosh se ai kult është bërë mesianik.


Megjithatë, edhe republikanët më qafirë mund ta kenë pyetur veten nëse Trumpi me të vërtetë e ka një mik atje lart. Për tre javë rresht, gjithçka ka shkuar sipas mënyrës së tij.

Seria e sukseseve e Trumpit filloi me debatin televiziv kundër Joe Bidenit, në fund të qershorit – debat i cili ia vlen të kujtohet, meqë gjasat ishin të ndodhte në vjeshtë nëse ekipi Biden nuk do të këmbëngulte që të mbahej më herët. Kjo ishte katastrofa 90-minutëshe për presidentin i cili kur nuk përpiqej të plotësonte fjalitë, e ngulte shikimin në hapësirë duke parë secilin prej 81 viteve të jetës së tij.

Kjo shkaktoi panik në mesin e demokratëve, tri javë të gjata të agonisë së brendshme, teksa pleqnarët dhe krerët tentonin të lëviznin mes krenarisë dhe kokëfortësisë së një presidenti për të cilin ata besojnë se meriton respekt për një mandat tjetër, dhe të një partie gjithnjë e më të bindur se ai jo vetëm që do ta humbasë Shtëpinë e Bardhë, porse do të marrë rrokotel teposhtë me vete edhe kandidatët demokratë për Dhomën e Përfaqësuesve dhe për Senatin. Ky proces mund të arrijë kulmin e vet në këtë fundjavë, por jo përpara se t’ia japë Trumpit një krahasim të këndshëm: Demokratët të ndarë dhe të hutuar, republikanët të bashkuar dhe të përqendruar.

Ndërkohë, Trumpit suksesin ia uruan edhe gjykatat, qofshin ata gjashtë gjyqtarët e Gjykatës Supreme – tre prej të cilëve janë emëruar prej tij – duke ua dhënë presidentëve pothuajse imunitetin e plotë për veprimet e veta zyrtare, apo gjyqtari i emëruar nga Trumpi i cili e hodhi poshtë atë që ka qenë çështja më e fuqishme ligjore kundër tij, përkitazi me mbajtjen e supozuar prej tij të dokumenteve të klasifikuara.

Kjo ia mundësoi atij që të ulet komod dhe të shijojë shfaqjen. Shikonte se si – për të marrë këtu një shembull – Bideni dha performancë të denjë në një konferencë shtypi pas samitit të NATO-s, duke dhënë përgjigje të detajuara mbi politikën e jashtme, ndërkohë që secili mban mend mënyrën se si Volodymyr Zelenskiyn e prezantoi si “Presidenti Putin”, ndërsa Kamala Harrisit iu referua si “zëvendëspresidentja Trump”.

Por, tentimi për vrasje dhe debati televiziv janë mbështetja e këtyre pak javëve të jashtëzakonshme, duke përforcuar atë që ishte korniza tashmë e zgjedhur e Trumpit për fushatën: i forti kundër të dobëtit. Siç më tha një demokrat i lartë: “Republikanët e kanë një tip tek i cili plumbat shmangen. Ne e kemi një tip që nuk mund të përballojë shkallët”. Vetë sondazhet janë të zymta për demokratët, me Trumpin që është para Bidenit jo vetëm në të gjitha shtetet e papërcaktuara, por edhe në një terren dikur të fortë demokratik – madje në Virxhinia dhe në mënyrë të pabesueshme në Nju-Jork të cilat tashmë konsiderohen si shtete të “fushës së betejës”. Nuk është çudi se pse republikanët këtë javë flisnin për vota dërrmuese në nëntor.

Pastaj, në rast se ndonjë pjesë e narrativës del të mos jetë sa duhet evokuese – teksa Trumpi u përshëndet si mesia në Miluoki – Bideni merr koronavirusin. Tani ai është i izoluar, në çdo kuptim të mundshëm.

Por, ndoshta ky është momenti fatlum. Trumpi është aq shumë përpara, numrat e tij janë aq të lartë, saqë demokratët kanë rritur shtytjen e tyre të pas-debatit, për ta nxitur Bidenin që të tërhiqet nga gara. Privatisht në fillim dhe më pas publikisht nëpërmjet rrjedhjeve të paramenduara – kur Bideni refuzoi të tërhiqej – udhëheqësit e Kongresit, donatorët e mëdhenj dhe kryesorë dhe mbase mendja më e mprehtë politike e partisë, ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, e kanë deklaruar këtë për presidentin, duke i thënë atij se ai nuk mund të fitojë. “Ka mbaruar”, më ka thënë një veteran i partisë. “Ai të hënën do të largohet”.

Nëse kjo është kështu, atëherë me siguri mbaron rrjedha e fatit e Trumpit. E gjithë fushata e tij bazohej në faktin se Bideni është kundërshtari i tij. Përballja me dikë tjetër do të thotë se do të ndryshojnë tri bazat e garës. Së pari, vëmendja e medias do të zhvendoset nga ai tek objekti i shndritshëm i kandidatit të ri demokrat. Së dyti, ai, jo kundërshtari i tij, do të jetë personi më i vjetër në garë. Dhe, së treti, Trumpi nuk duhet ta atribuojë më mesazhin e “ndryshimit” – kaq i fuqishëm në këtë epokë të fushatave të zjarrta – vetëm për veten e tij.

Ky element i fundit varet nga ajo se kë zgjedhin demokratët dhe se si këtë e bëjnë. Nëse Bideni rri mënjanë dhe shpejt vjen kurorëzimi i zëvendëses së tij, Harris, atëherë Trumpi do ta cilësojë si status quo. Do të ketë kakofoni të fishkëllimave raciste dhe të mizogjenisë, tok me përpjekjen e ngjashme për ta paraqitur atë si pa mandat demokratik dhe si majtiste të rrezikshme.

Por, ka një mënyrë tjetër për ta bërë këtë. Edhe disa nga mbështetësit e Harrisit favorizojnë mini-zgjedhjet për kandidatin presidencial që brenda dy javëve apo më shumë mund të përfitojë nga debatet televizive, para se rreth katër mijë delegatët demokratë të hedhin votat e veta. Për të qenë të sigurt, kjo nuk mjafton, por do t’ia jepte legjitimitetin fituesit përfundimtar demokratik dhe do të ofronte të paktën një paraqitje të shkurtër se kush lulëzon dhe kush vyshket nën kritikën kombëtare. Vetë votimi duhet të ndodhë përpara konventës së partisë në Çikago më 19 gusht, në mënyrë që ai tubim të jetë shfaqje dhe jo luftë në skenë.

E di – po ecim përpara. Por, teksa demokratët po shkojnë drejt fundjavës fatale, ata duhet të dinë se nuk duhet të kenë shumë frikë nga ajo që mund të vijë. Gara mund të demonstrojë energjinë dhe vrullin e partisë, zëvendësimin me talentet e reja, duke tërhequr kontrastin me kultin rrëqethës të cilin e kundërshton. Duke pasur parasysh numrin e amerikanëve të cilët për një vit ose më shumë kanë thënë se duan zgjedhje tjetër përveçse Trumpit kundër Bidenit, të gjitha shanset janë që zgjedhjet të ndryshohen, me sondazhet të cilat pothuajse menjëherë do të dalin krejtësisht ndryshe.

Ndërkaq, të enjten mbrëma Trumpi sërish bëri me dije se ashiqare mund të mposhtet. Autorët e fjalimeve të tij donin që ai të përvetësonte një ton më të këndshëm dhe më të butë – një njeri i kërcënuar nga vdekja, i prirë për pajtim dhe unitet kombëtar. Ia doli për një kohë. Por, shpejt largohej nga teleprompteri, me devijime drejt hiteve të tij të vjetra rrëqethëse dhe të errëta: “e çmendura” Pelosi, emigrantët si “pushtim” i vrastarëve dhe kriminelëve, zgjedhjet që iu vodhën.

Bastet janë shumë të larta për ShBA-në dhe për botën, për t’i lënë demokratët që t’ia dhurojnë Trumpit garën e vitit 2024, gjë që do ndodh me vazhdimin e kandidaturës së Bidenit. Shpresa është që vetë Bideni të arrijë në këtë përfundim në një ose dy ditët e ardhshme dhe të bëjë atë që do të jetë akti i tij i fundit madhështor i shërbimit ndaj publikut. Sepse, çfarëdo që thonë besimtarët republikanë, ky vendim nuk është në duart e të Plotfuqishmit – është në duart e qenieve njerëzore të cilët, pavarësisht nga frika dhe dobësitë e veta, duhet të reagojnë dhe të veprojnë që tash. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Si u lokalizua Faton Hajrizi, mediat serbe publikojnë detaje të reja

Si u lokalizua Faton Hajrizi, mediat serbe publikojnë detaje të reja

Serbia
Haxhiu: Informacionet janë kundërthënëse, nuk mund ta dimë me siguri që Faton Hajrizi është vrarë - nevojitet hetim për ta zbardhur të vërtetën

Haxhiu: Informacionet janë kundërthënëse, nuk mund ta dimë me siguri që Faton Hajrizi është vrarë - nevojitet hetim për ta zbardhur të vërtetën

Lajme
Tre turistë të huaj vijnë në Kosovë dhe marrin me vete taksistin kosovar gjatë aventurave të tyre, video në

Tre turistë të huaj vijnë në Kosovë dhe marrin me vete taksistin kosovar gjatë aventurave të tyre, video në "TikTok" mori mijëra klikime

Lajme
Marrëveshja BE-Gjermani me Serbinë, Bieber: Shkëmbyen demokracinë e sundimin e ligjit me litium, ka vdekur zgjerimi i BE-së

Marrëveshja BE-Gjermani me Serbinë, Bieber: Shkëmbyen demokracinë e sundimin e ligjit me litium, ka vdekur zgjerimi i BE-së

Serbia
Erdhi në Shqipëri për dy javë, bjellorusja dashurohet me shqiptarin dhe vendos të qëndrojë përgjithmonë këtu

Erdhi në Shqipëri për dy javë, bjellorusja dashurohet me shqiptarin dhe vendos të qëndrojë përgjithmonë këtu

Lajme
Dy formacionet e mundshme të Barcelonës me Nico Williams dhe Dani Olmo në 11-she

Dy formacionet e mundshme të Barcelonës me Nico Williams dhe Dani Olmo në 11-she

La Liga
Kalo në kategori