Nëna e Ronaldos lëshohet nga spitali pas goditjes në tru: Jam e lumtur që jam gjallë

Më shumë se dy javë prej se pësoi goditje në tru, Maria Dolores dos Santos Aveiro është lëshuar nga spitali dhe është kthyer në shtëpi.
Me këtë rast, nëna e Cristiano Ronaldos e ka publikuar një fotografi në rrjetet sociale duke u shprehur e lumtur që është gjallë.
“Jam e lumtur që më është dhënë mundësia të jetoj dhe ta dua familjen time dhe t’i kem ata pranë meje”, ka shkruar 65-vjeçarja në përshkrim.
“Faleminderit të gjithëve për mbështetjen dhe dashurinë. Kanë qenë ditë të vështira, por të luftës dhe fitores. Tash jam në shtëpi, e rrethuar nga dashuria e familjes sime, energjia ime pozitive”, ka shtuar ajo.
Dolores kishte pësuar goditje trunore si pasojë e iskemisë (mosfurnizimit të mjaftueshëm me gjak nga ndonjë arterie trunore), të shkaktuar nga ndonjë tromb (bllokim i qarkullimit të gjakut përmes mpiksjes brenda arteries).
Goditja në tru (insulti cerebral) është një urgjencë mjekësore. Goditja në tru ndodh kur ndalon qarkullimi i gjakut në tru. Brenda pak minutash, qelizat trunore nisin të vdesin. Janë dy lloje goditjesh në tru.
Më e shpeshta quhet iskemia trunore kur ndodh bllokimi i një ene të gjakut për shkak të mbylljes nga ndonjë tromb dhe kështu pamundësohet qarkullimi i gjakut në tru.
Ndërsa lloji tjetër quhet goditja hemorragjike që shkaktohet kur një enë e gjakut dëmtohet dhe gjaku rrjedh brenda trurit.
‘Mini-goditjet në tru’ ose sulmet kalimtare iskemike (TIA) ndodhin kur furnizimi me gjak në tru është i ndërprerë përkohësisht.
Menjëherë pas shtrirjes në spital, nëna e CR7 iu nënshtrua trombektomisë mekanike (heqjes së trombit nga arteria përmes kateterit) dhe qëndroi e hospitalizuar më shumë se dy javë për t’u shëruar. /Telegrafi/




























































