LAJMI I FUNDIT:

Në Rahovec paralajmërohet investimi 90 milionësh për ndërtimin e Parkut Energjetik

Në Rahovec paralajmërohet investimi 90 milionësh për ndërtimin e Parkut Energjetik

Deputeti i VV-së në Kuvendin e Kosovës, Visar Korenica, ka bërë të ditur se në Komunën e Rahovecit pritet të realizohet investimi prej mbi 90 milionë euro në energji të ripërtërishme dhe që do të ketë kapacitet 70MW.

Ndërtimi i Parkut Energjetik nga era me kapacitet prej 70MW do të realizohet pas propozimit që është dhënë në Kuvendin Komunal në Rahovec dhe me votimin unanim të asamblistëve, ku është marrë vendim për shpallje të interesit publik të pronave në Zatriq të kësaj komune.

“Lajm i mrekullueshëm për Komunën e Rahovecit. Për herë të parë në komunën tonë realizohet investim mbi 90 milionë euro në energji të ripërtërishme!”, shkuran ai.


“Me propozim të Kryesuesit të Kuvendit Komunal në Rahovec, z. Dëfrim Kafexhiu dhe me votim unanim të kuvendarëve është marrë vendim për shpallje të interesit publik të pronave në Zatriq të Rahovecit për Ndërtimin e Parkut Energjetik nga era me kapacitet prej 70MW. Investimi realizohet nga kompania Eurokos Holding”, ka thënë Korenica në një postim në Facebook të mërkurën.

Tutje ai ka falënderuar të gjithë akterët politikë në Rahovec që e bënë të mundur këtë nismë.

“Ky investim do të shërbejë për zhvillimin e energjisë së pastër e në veçanti zhvillimin e sektorit energjetik që do të ndikojë drejtpërdrejt në stabiltet të furnizimit me energji elektrike në komunën tonë. Jam jashtëzakonisht i lumtur që angazhimi im si deputet për të mirën e qytetarëve po shpërblehet edhe në praktikë. I falënderoj të gjithë kuvendarët, në veçanti kryetarin e komunës dhe kryesuesin e kuvendit të cilët, bashkë me subjektet opozitare, pa ngurrim mbështetën këtë investim të rëndësisë së veçantë për komunën tonë”, përfundoi ai.