"Ne nuk do t’jua japim tokën e Car Dushanit", Specialja ngre aktakuzë për nxitje të urrejtjes ndaj një personi në Zubin Potok

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit S.S, për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit’’.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se nga hetimet e zhvilluara ka rezultuar se S.S, i nacionalitetit serb me datë 14.10.2023, rreth orës 08:20, në fshatin Dren të Komunës së Zubin Potokut, ka ndërmarr veprime konkrete me qëllim të nxitjes së urrejtjes, përçarjes dhe mos durimit ndërmjet grupeve etnike dhe të prishjes së rendit publik në Republikën e Kosovës.
“Sipas aktakuzës, më 14 tetor të 2023-ës gjatë ndalimit për kontroll policor, i pandehuri ka pasur të veshur një maicë të zezë me mbishkrime me motive nacionaliste, në pjesën e përparme, të së cilës gjendej harta e Kosovës me mbishkrimin “NE DAMO TE ZEMLODUSANOVA” (që në gjuhën shqipe nënkupton “Ne nuk do t’jua japim tokën e Car Dushanit”), ndërsa në pjesën e pasme të saj ishte mbishkrimi “RANVOGORSKI POKRET – IBARSKE KOLOSIN”, që përfaqëson emrin e një lëvizjeje politike me përmbajtje nacionaliste dhe motive nxitëse ndaj grupeve të tjera etnike në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Po ashtu siç thuhet në njoftim i pandehuri S.S me këto veprime publikisht ka nxitur urrejtje ndërmjet grupeve etnike që jetojnë në Republikën e Kosovës, në mënyrën që ka mundur të shkaktoj prishjen e rendit publik.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, aktakuzën e ka dorëzuar në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/



















































