Ikona amerikane e muzikës, Diana Ross, u shfaq si një ëndërr në mbrëmjen e së mërkurës teksa hapi edicionin e sivjetmë të Festivalit Henley në Mbretërinë e Bashkuar, me një performancë që elektrizoi mijëra adhurues.

81-vjeçarja, që pak javë më parë kishte përfunduar disa koncerte në kuadër të turneut të saj në Britani, dëshmoi se mosha është thjesht një numër, duke kënduar me energji disa prej hiteve të saj legjendare si "Stop! In the Name of Love", "Chain Reaction" dhe "I'm Coming Out".


Këngëtarja me origjinë nga Detroit-i u ngjit fillimisht në skenë e veshur me një fustan të bardhë mahnitës, ndërsa më pas u shfaq me një fustan të zi me xixa dhe një mantel të artë ekstravagant që e valëviste gjatë performancës, shkruan DailyMail.

Ross e nisi turneun e saj britanik më 22 qershor në BP Pulse Live në Birmingham, duke mbajtur gjithsej gjashtë shfaqje, përfshirë edhe atë në arenën O2 në Londër javën e kaluar. Para fillimit të turneut, ajo kishte paralajmëruar se kishte përgatitur një sërë ndryshimesh të mrekullueshme të veshjeve për të mahnitur publikun.

Të gjitha fustanet që ka veshur gjatë turneut – përfshirë edhe dy që i kishte veshur në Festivalin Henley – janë dizajnuar enkas për të, me ndihmën e një rrobaqepëseje personale, ndërsa ajo ka marrë pjesë aktive në krijimin e secilit model.

Në fakt, ajo kishte bashkëpunuar edhe me një stilist për fustanin e saj spektakolar në Met Gala të këtij viti, një veshje e veçantë që i kushtohej fëmijëve të saj.

Diana ka pesë fëmijë dhe tetë nipër e mbesa, ndërsa vajza e saj më e madhe, Rhonda (53 vjeç), shpesh e shoqëron në turne.

Në mbrëmjen e festivalit, Diana u shfaq mahnitëse me një fustan të bardhë që zvarritej në tokë, i kombinuar me një mantel me pupla, duke shënuar kthimin e saj të parë në këtë event pas 20 vitesh.

Në Met Gala, ajo kishte vendosur që në mantelin e gjatë 18 metra të qëndiseshin emrat e të gjithë fëmijëve dhe nipërve të saj, për të nderuar familjen në mënyrën më të bukur të mundshme.

“Unë, djali im Evan dhe stilisti i ri Ugo Mozie bashkëkrijuam mantelin dhe fustanin që vesha. Doja diçka që kishte domethënie”, tha ajo.

“Manteli përfaqëson gjenerata të tëra – me emrat e fëmijëve të mi dhe nipërve të qëndisur me rruaza dhe kristale. Është një festim i dashurisë sonë familjare”.

Në një intervistë për The Mirror, këngëtarja theksoi rëndësinë që ka familja për të:

“Familja është gëzimi dhe bekimi im më i madh”, tha Diana. “Rhonda më shoqëron gjithmonë në turne, ndërsa pesë fëmijët e mi kujdesen për nënën e tyre”.

Diana ndan vajzën Rhonda me legjendën e Motown-it Berry Gordy, me të cilin ajo mirëpriti fëmijën e parë në vitin 1971. Po atë vit, u martua me menaxherin muzikor Robert Ellis Silberstein, me të cilin pati dy vajza të tjera: Tracee (52 vjeç) dhe Chudney (49 vjeç). Çifti u nda në vitin 1977.

Në vitin 1986, ajo u martua me alpinistin norvegjez Arne Naess Jr., me të cilin solli në jetë dy djem: Ross (37) dhe Evan (36).

E lindur në lagjen Brewster-Douglass në Detroit – një nga projektet e para të strehimit për afro-amerikanët në SHBA – Diana ishte një nga gjashtë fëmijët e familjes dhe nisi të këndonte në festa familjare dhe në korin gospel të kishës baptiste.

Por jeta e saj ndryshoi përgjithmonë në vitin 1959, kur u njoh me Florence Ballard dhe Mary Wilson. Së bashku me Betty McGlown, ato formuan grupin The Primettes, një grup vajzash që më vonë u kthye në legjendaren The Supremes.

Pas një audicioni për labelin në rritje Motown, grupi u nënshkrua në janar të vitit 1961. Deri në vitin 1965, ato kishin pesë hite radhazi në vendin e parë të top-listave, përfshirë Baby Love dhe Stop! In the Name of Love.

Në vitin 1967, grupi mori emrin Diana Ross & The Supremes, ndërsa tre vite më vonë, Diana nisi karrierën e saj solo – duke u bërë një nga artistet më të suksesshme të të gjitha kohërave. /Telegrafi/