LAJMI I FUNDIT:

Në mes të qeverisë sadiste të Tiranës dhe asaj raciste të Athinës

Në mes të qeverisë sadiste të Tiranës dhe asaj raciste të Athinës
Ilustrim

Po bëhet java që mijëra emigrantë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi, shumë prej të cilëve edhe më nënshtetësi greke (pra, qytetarë evropianë), po torturohen si në vitin 1991, duke pritur në “portat greke” të Kakavijës dhe Kapshticës për të hyrë në Greqi, pasi atje kanë jetesën, punën, pronat, edukimin e fëmijëve dhe gjithçka që kanë ndërtuar me mund, djersë, gjak, vuajtje dhe sakrifica të panumërta dhe të pafundme që prej 30 vitesh.

Situata u krijua nga vendimi i qeverisë greke se kush do të futet nga Shqipëria duhet të bëjë edhe testin Covid, ndërkohë që kush futet pas datës 16, do të bëjë edhe karantinë në Greqi. Të ndodhur në këtë situatë, pa asnjë njoftim, strategji apo masë paraprake nga qeveria e Tiranës që ndodhet në “vakanca detare”, qytetarët shqiptarë u dyndën për t’u kthyer në Greqi, por fatkeqësisht u ndeshën këtej kufirit me indiferencën vrastare të qeverisë së vakancave, dhe matanë kufirit me “klonin racist” të qeverisë së Athinës.

U krijuan radhë kilometrikë që shkuan deri në 27 me makina me familjarë, fëmijë, gra, burra dhe të moshuar që prisnin në temperaturat mbi 40 gradë, duke mos pasur as kushtet minimale të qëndrimit në asfalt. Ditët e para nuk u kujtua pothuajse askush të kujdesej për ta, as pushteti qendror dhe as ai lokal, dhe as OJQ-të që paguhen për atë punë. Me përjashtim të ndonjë biznesi, nuk pati as shoqata apo biznese që t’u dërgonin ujë, ushqime, rroba, karburant për makina, tualete portative apo çadra, që atyre t’iu lehtësohej sadopak qëndrimi tepër stresues në rrugë.


Kryeministri vazhdonte vakancat pa e prishur fare terezinë, ndërsa ministri i Jashtëm dhe ai i Emigracionit nuk dihet edhe sot e kësaj dite se ku janë. Ndërkohë që situata e karvanit kilometra me njerëz që po vuanin agravohej me orë dhe në të gjithë këtë situatë tragjike ndodhi edhe aksidenti fatal që i mori jetën një djaloshi 10-vjeçar, duke këputur në mes jo vetëm rrugën e kthimit për në tokën helene, por jetën e tij të pafilluar mirë akoma.

Ku ishte Policia Rrugore dhe ajo e Shtetit, që kënaqen duke vënë gjoba gjithë ditën dhe natën, ndërkohë që nuk u gjend aty për të menaxhuar trafikun njerëzor dhe të automjeteve, ndërkohë që ambulanca vrastare, pa sinjalet akustike dhe pa fenelina ndezur, fluturonte me shpejtësi 140 kilometra n; orë, ndërkohë që në raste të tilla shpejtësia nuk duhet të kalojë 30 n; orë! Ambulanca, me apo pa të sëmurë, me apo pa mjeke/staf mjekësor, me apo pa qytetarë që po i çonte “klandestinë” jashtë radhe në Kakavijë, duhej ndaluar nga Policia që të mos vriste fëmijën 10-vjeçar?! Rrugaçëria, cinizmi dhe arroganca arriti kulmin kur nga vakancat Blendi Gonxhe deklaron pa pikë turpi se për vdekjen e fëmijës “përgjegjësia është e prindit që e lëshoi nga dora”, deklarim skandaloz dhe kriminal ky, që pasohet edhe nga deklarimi i kryeministrit se “fëmija i doli ambulancës përpara”.

Ishte ky reagim i kryeministrit, kpasi nuk kishte bërë asgjë për të zgjidhur krizën në kufi, vetëm kishte heshtur për ditë të tëra. Ndërkohë që grekët, si gjithmonë në raste të tilla, punonin me kapacitete jo të plota dhe me orare të reduktuara, pasi sportelet mbylleshin gjatë natës. Si me porosi, qeveria jonë nuk mori asnjë masë që qytetarëve t’iu bëhej testi falas në një kohë sa më të shkurtër, me qëllim që të lehtësohej sadopak edhe vuajtja e tyre. Asnjë zyrtar, me përjashtim të ministres së Mbrojtjes nuk shkoi në kufi. Ministrja Xhaçka më shumë shkoi për paradë mediatike, pasi as nuk çoi asnjë logjistikë apo ndihmë për qytetarë atje dhe në darkë kthehej në resortet e vakancave. Në kufi duhej të ishte Kryeministri i pari, ministrat dhe pse jo edhe Presidenti i Republikës.

Nga ana tjetër, megjithë “belbëzimet e Edi Ramës që jemi në komunikim me palën greke”, rezulton të mos ketë pasur negociata, pasi nuk ka pasur asnjë komunikim ndërmjet drejtuesve të shtetit shqiptar dhe homologëve të tyre grekë, as nga Kryeministri, dhe as nga ministrat përkatës. Ndërkohë që grekët vazhdojnë avazin e tyre 30-vjeçar, nuk pranojnë më shumë se 750 qytetarë në Kakavijë dhe 300 në Kapshticë dhe kushdo që kalon nga data 17 do të karantinoret. Çfarë i pengon grekët që të pranojnë qytetarët pa kufizim në numër, pasi ata po shkojnë në shtëpitë e tyre dhe nuk po kërkojnë azil, punë apo strehim, pasi ato i kanë zgjidhur vetë me kohë. Çfarë e pengonte shtetin grek që ta shtynte datën 16 për disa ditë sa t’iu krijonte mundësi dhe jepte kohë qytetarëve shqiptarë apo shqiptaro-grekë që të ktheheshin në Greqi pa karantinë?!

Rregullat janë për të zgjidhur problemet dhe jo për të krijuar probleme, as vuajtje dhe as tragjedi, aq më tepër që dy vendet jemi edhe anëtare të NATO-s, ndërkohë që Greqia është edhe anëtare e BE-së. Qeveria shqiptare, po të donte të zgjidhte problemin, u kërkonte ndihmë dhe mirëkuptim edhe këtyre institucioneve për të zgjidhur krizën në kufi, por nuk lëvizi as gishtin për këtë gjë. Fatkeqësisht, shqiptarët ndodhen sot në këtë vuajtje në kufi në mes një qeverie sadiste si kjo e jona që po kënaqet me vuajtjet e tyre, dhe të një qeverie raciste, si ajo e Greqisë, që po kënaqet duke i bërë shqiptarët të vuajnë. Prapë grekët dalin “më të nderuar” se ne, se po bëjnë një popull tjetër të vuajë, ndërsa qeveria jonë po e bën popullin e vet të vuajë…