Drejtoria për Buxhet dhe Financa ka mbajtur dëgjimin e katërt dhe të fundit buxhetor në kuadër të procesit të planifikimit të buxhetit për vitin 2026, si dhe për planifikimet afatmesme për vitet 2027/2028.

Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook të Komunës së Mitrovicës bëhet e ditur se ky takim u zhvillua me përfaqësues të komunitetit jo-shumicë, me qëllim të përfshirjes së të gjitha komuniteteve në hartimin e një buxheti gjithëpërfshirës dhe të drejtë.


“Gjatë këtij takimi, drejtoresha për Buxhet dhe Financa, Igballe Islami, dhe zyrtari kryesor Financiar, Zenel Çitaku, prezantuan hapat e deritanishëm të procesit buxhetor dhe u fokusuan në evidentimin e kërkesave dhe propozimeve të paraqitura nga pjesëmarrësit e komunitetit jo-shumicë. Ky dëgjim përmbyll ciklin e konsultimeve publike, dhe rekomandimet e dala nga të gjitha takimet do të shqyrtohen me kujdes gjatë hartimit final të projekt-buxhetit për vitin 2026”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/