Nën udhëheqjen e Kryetarit të Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, gjatë ditës së sotme është mbajtur mbledhja e rregullt e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi në Komunën e Gjakovës.

I pranishëm në këtë mbledhje ishte Major Milazim Lumi, Komandant në Stacionin Policor në Gjakovë, i cili raportoi lidhur me çështjen e sigurisë në Komunën e Gjakovës.


Ai deklaroi se gjendja e sigurisë është stabile, duke përmendur faktin se 12% të rasteve të paraqitura në polici, nuk janë të rënda. Poashtu, ai informoi se gjatë kësaj periudhe ka pasur rënie të vjedhjeve të rënda në 41%.

Ndërkaq, Drejtoresha për Arsim Eranda Kumnova Baçi, raportoi për mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe sigurinë e nxënësve në shkollat e kësaj komune.

Ajo informoi se gjysëmvjetori i dytë ka filluar me të gjitha përgatitjet e nevojshme.

“Gjatë kësaj periudhe siguria në shkolla është stabile, ndërkohë që bashkëpunimi ynë me Qendrën për Punë Sociale dhe Policinë është korrekt." tha Kumnova - Baçi.

Ndër të tjera, Kumnova - Baçi foli edhe për Planin Zhvillimor Komunal i cili sipas saj do të dalë shumë shpejtë për miratim në mbledhje të Asamblesë Komunale.

Gjatë kësaj mbledhje, Kryetari Gjini ngriti shqetësimin për dukurinë e parkimit të automjeteve në vende jo-adekuate, edhe pse Komuna e Gjakovës ka funksionalizuar parkingje të reja.

Për këtë dukuri, Major Lumi tha se pjesëtarët e policisë vazhdimisht po punojnë për eliminimin e kësaj problematike, por që sipas Major Lumit nevojitet vetëdijësimi dhe bashkëpunimi nga ana e qytetarëve të Komunës së Gjakovës.