Në 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, krerët e shtetit bëjnë homazhe në Prekaz

Me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, në kuadër të programit shtetëror për këtë ditë, pas Mbledhjes së Qeverisë dhe ngritjes solemne të flamurit të Republikës së Kosovës, Kryeministri Albin Kurti dhe Presidentja Vjosa Osmani-Sadriu bënë homazhe në disa lokacione të rëndësishme për historinë e vendit.
Fillimisht, ata vizituan Monumentin e të Pagjeturve dhe Memorialin e Fëmijëve të Vrarë, duke përkujtuar 1133 fëmijët e vrarë gjatë luftës në Kosovë.
Më pas, krerët e shtetit vendosën lule të freskëta te varri i ish-presidentit Dr. Ibrahim Rugova dhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi, duke nderuar kontributin e tyre në lirinë dhe pavarësinë e vendit.
Homazhet vazhduan në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, ku Kryeministri dhe Presidentja shprehën mirënjohjen e tyre për heroizmin e familjes Jashari, e cila ka një vend të veçantë në historinë kombëtare të Kosovës.
Më pas, ata bënë homazhe edhe te Monumenti “Heroinat”, në nderim të grave që sakrifikuan për lirinë e vendit.
Gjatë kësaj dite të rëndësishme, Kryeministri Albin Kurti u shpreh se ky është një moment për të nderuar të gjithë ata që sakrifikuan dhe u flijuan për lirinë e Kosovës.
“Nga heronjtë, dëshmorët dhe martirët që dhanë jetën e tyre, te invalidët dhe veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, te veprimtarët dhe mbarë qytetarët që qëndruan të palëkundur përballë sfidave, të gjithëve u jemi mirënjohës për përkushtimin dhe kontributin e tyre,” tha Kurti.
Përkujdesja për trashëgiminë historike dhe nderimi i të kaluarës së lavdishme të vendit vazhdojnë të jenë pjesë e pandashme e aktiviteteve shtetërore në Kosovë./Telegrafi/





















































