Ndryshohen shkallët e tatimit për të ardhurat personale

Administrata Tatimore e Kosovës njofton se më datën 23 gusht 2024 është publikuar në Gazetën Zyrtare Ligji Nr. 08/L-142 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore.
Në njoftim thuhet se ky Ligj hyri në fuqi në ditën e publikimit, që do të thotë hyri në fuqi dhe filloj të zbatohet nga data 23 gusht 2024.
“Me hyrjen në fuqi të Ligjit Nr. 08/L-142, me nenin 5 ndryshohen shkallët tatimore të cilat janë të përcaktuara në nenin 6 të Ligjit Nr. 05/L-028 për Tatim në të Ardhurat Personale.
Më konkretisht, sipas nenit 5 të Ligjit Nr. 08/L-142 bëhet ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit Nr. 05/L-028 për Tatim në të Ardhurat Personale”, thuhet tutje.
Administrata Tatimore e Kosovës njofton se më apo para datës 01 shtator 2024 do të publikojë versionin e ri të sistemit elektronik EDI, përmes të cilit do të deklarohen dhe paguhen: Tatimi në Paga, Kontributet Pensionale dhe tatimet tjera nga personat fizikë afarist dhe jo-afarist, sipas shkallëve të reja tatimore. /Telegrafi/














































