Site icon Telegrafi

Ndihma urgjente te lëndimet e hapura të kafazit të kraharorit

Prof.ass.dr. Isuf Bajrami
Specialist i mjekësisë urgjente
Qendra e Mjekësisë Urgjente – Prishtinë

Muri i kafazit të kraharorit (toraksit) mbron organet të cilat janë vendosur në kavitetin torakal, dhe ofron mbrojtje të konsiderueshme organeve të pjesës së sipërme të abdomenit.

Lëndimet e hapura të kafazit të kraharorit karakterizohen me dëmtime të gjitha shtresave të murit torakal dhe pëlhurës së mushkërive.

Këto mund të jenë plagë shpuese dhe tejshpuese të kafazit të kraharorit (në vartësi nga ajo se a kemi plagën hyrëse ose plagë hyrëse dhe dalëse).

Plagë e hapur e kafazit të kraharorit, disa brinjë janë të thyera në dy apo më shumë vende si pasojë e goditjes së timonit gjatë aksidentit.
Prania e një segmenti të kraharorit që valëvit rezulton në ndërprerjen e lëvizjes normale të kraharorit.

Shkaktarë e lëndimit të hapur të gjoksit mund të jetë therja me thikë e shkaktar më i rrallë janë frakturat e hapura të brinjëve pas rrëzimeve ose goditjes.

Nëpër plagë në murin e gjoksit hyn ajri në kavitetin torakal e ky quhet pneumotoraks.

Te lëndimet e hapura të murit të gjoksit, karakteristikë kryesore është grumbullimi i ajrit në kafazin e kraharorit.

Nga vëllimi i ajrit të grumbulluar varet serioziteti i pasojave dhe rreziku i jetës. Sa ajër do të mblidhet varet nga përmasat e plagës, lloji i plagës dhe kohës së dhënies së ndihmës.

Te këto lëndime me qëllim të parandalimit të futjes së sasive të mëdha të ajrit është me rëndësi dhënia e ndihmës së parë të ofrohet sa më shpejtë.

Një segment i murit të kraharorit mund të jetë i lirë dhe të lëviz i pavarur.

Vetëm indi pulmonar nuk ka shtresë muskulore të vetën me kontrakcionin e së cilës mushkëritë zgjerohen dhe mblidhen.

Mushkëritë pasivisht përcjellin lëvizjet e kafazit të kraharorit (dhe tendosen), që kushtëzohet me presion negativë, thënë saktësisht me presion subatmosferik i cili dominon në kavitetin torakal.

Nëse vendoset komunikimi në mes të kavitetit torakal dhe ambientit të jashtëm, nuk ekziston forcë e cila mundëson zgjerimin e mushkërive e ajo për shkak të karakteristikave të indit të vetë kolabon-mblidhen.

Indi pulmonar i kolabuar nuk merr pjesë në procesin e frymëmarrjes. Esenca e lëndimit të hapur në kafazin e kraharorit është në kolabimin e mushkërive dhe zvogëlimin e kapacitetit për lidhjen e oksigjenit në gjak.

Sa më shumë që hyn ajri në kafazin e kraharorit, ky është presion në indin pulmonar por edhe sipërfaqe më e madhe e mushkërive dhe pjesa më e madhe e mushkërive kolabon dhe bie nga funksioni.

Te disa lloje të pneumotoraksit grumbullohet aq ajër në kafazin e kraharorit sa tërë indi pulmonar kolabon, kjo gjendje është për arsye të mungesës së oksigjenit në gjak dhe është e rrezikshme për jetë.

Kolapsi i mushkërive në anën e majtë

Në këto raste mundet aq shumë të rritet presioni në pjesën e lënduar të gjoksit sa bën shtypje në pjesën tjetër të krahut të mushkërive.

Ndryshimet e manifestuara të presionit parandalojnë mbushjen adekuate të zemrës me gjak, pengojnë qarkullimin, çrregullojnë funksionin normal të mushkërive, zemrës dhe enëve të gjakut prandaj jeta rrezikohet seriozisht, për këtë arsye ndihma e parë urgjente dhe ndihma mjekësore është me rëndësi
jetike.

Shenjat e njohjes

A. Shenjat e sigurta

▪ plaga në kafazin e kraharori, nga e cila gjatë frymëmarrjes ndihet shushurima e ajrit;
▪ frymëmarrja shoqërohet me dhembje të fortë e vështirësuar e shpejtuar dhe sipërfaqësore;
▪ reaksionet me panik nga viktima-ndjenja e urisë për ajër.

B. Shenjat e mundshme

▪ këlbaza e hollë me gjak të skuqur;
▪ buzët, thonjtë dhe lëkura zverdhen (cianoza);
▪ kërcitja nën lëkurë (krepitacionet) në rrethinën e plagës si pasoj e pranisë së ajrit në inde;
▪ nga plaga shihen flluska nëse bëhet fjalë për ‘pneumotoraksin e hapur’;
▪ manifestohet gjakderdhja.

Qëllimet e ndihmës së parë

▪ mbyllni plagën dhe mbani frymëmarrjen;
▪ zvogëloni simptomat e shokut;
▪ mundësoni funksionimin e pjesës së padëmtuar të mushkërive;
▪ siguroni sa më shpejtë dhe sa më komfor transport në institucionin shëndetësor.

Masat e ndihmës së parë

▪ plagën mbyllni përkohësisht me dorë, nëse i lënduari është me vetëdije dhe ka forcë të mjaftueshme të vendos shuplaken e vetë;
▪ nëse viktima është me vetëdije vendosni atë në pozitë gjysmë ulur, me kokë të ngritur, trupi anon kah pjesa e lënduar;
▪ plagën mbuloni me gazë sterile;
▪ mbi te vendosni foli plastike ose metalike e cila nuk lëshon ajrin e mandej e ngjitni me leukoplast nga tri anët, të katërtën e leni të lirë, me qëllim të parandalimit të hyrjes së ajrit gjatë inspiriumit dhe të mundësohet dalja pasive e ajrit.
▪ të imobilizohet dora nga ana e lënduar e trupit me shami trekëndëshe me qëllim të ndihmesës për mbylljen e plagës dhe të lehtësimit të frymëmarrjes nga ana e kundërt;
▪ kontrolloni frymëmarrjen, pulsin dhe gjendjen e vetëdijes çdo 10 minuta;
▪ nëse viktima është pa vetëdije e vendosni në pozitë krahu (koma) në anën e lënduar me qëllim të mundësohet që krahu i shëndosh i mushkërive të funksionojë më mirë;
▪ zbatoni masat kundër shokut;
▪ sa më shpejtë siguroni transportin me përcjellës në institucionin adekuat shëndetësor.

Tretmani urgjent paraspitalor

1. Hapni dhe siguroni rrugën e frymëmarrjes
2. Administroni oksigjen
3. Hapni vijën venoze
4. Nëse është e nevojshme – teknikat e avancuara të sigurimit të rrugës së frymëmarrjes (ventilimi i asistuar os intubimi endotracheal) teknika rapid sequence intubation
5. Të kujdesemi në shenjat e pneumotoraksit tenziv (dekompresioni i anës së lënduar)
6. Monitoroni saturimin
7. Transport urgjent në spital
8. Stabilizoni segmentin jostabil të kafazit të kraharorit
9. Monitoroni zemrën (trauma e mundshme e miokardit)
10. Kontaktoni spitalin-shërbimin emergjent të pranimit dhe njoftoni për arritjen e pacientit

Mbani mend!

▪ Shumica e lëndimeve mund të zbulohen gjatë zbatimit të kujdesshëm të ekzaminimit primar.
▪ Shumica e lëndimeve kërkojnë transport deri në spital.
▪ Rruga e frymëmarrjes është çdo herë prioritet
▪ Të gjithë pacientëve duhet administruar 100% oksigjen
▪ Shpesh duhet zbatuar evaluimin gjatë transportit.

/Telegrafi/

Exit mobile version